Ndërlidhjet

Howit: Rasti Kezharovski – krijim i frikës te gazetarët


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howit, ka kërkuar dialog politik mes partive për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit parlamentar për incidentin e 24 dhjetorit, rezultate të dukshme në sferën e lirisë së mediave si dhe marrëveshje për kapërcimin e dallimeve me shtetet fqinje.

“Është me rëndësi thelbësore që të bëhet progres sa më i madh në zbatimin e marrëveshjes së marsit, si dhe të vendoset dialogut politik mes partive në pushtet dhe opozitës, në frymën e memorandumit për integrimet evroatlantike”, deklaroi Howit, duke shtuar se këto rekomandime duhet të përmbushen nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, deri në samitin e ardhshëm të BE-së, që do të mbahet në dhjetor.

Sa i përket lirisë së mediave dhe burgosjes së gazetarit Kezharovski, Howit theksoi nevojën e miratimit të ligjeve për mediat me konsensus me gazetarët. Sipas tij, gjendja mund të përkeqësohet nëse ligjet miratohen pa marrëveshje me gazetarët.

“Do të ishte rrezik për vendin nëse shumë reforma në sferën e mediave miratohen pa mbështetjen e gazetarëve. Jam i brengosur edhe për rastin me Kezharovskin. Ky dhe rastet e tjera mund të kenë efekte negative të krijimit të frikës mes gazetarëve, redaktorëve, pronarëve, që do të reflektohen në gazetarinë hulumtuese dhe kjo do të çonte në vet-censurë”, ka deklaruar Howit, pas takimeve që ka realizuar gjatë dy ditëve të kaluara në Shkup, me drejtues të institucioneve dhe të partive politike në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG