Ndërlidhjet

Në veri, sërish protesta kundër zgjedhjeve


Mitrovicë...

Mitrovicë...

Përfaqësuesit e strukturave politike serbe nga komunat veriore të Kosovës, të mbështetur edhe nga opozita në Serbi, kanë mbajtur të mërkurën një protestë në veri të Mitrovicës, kundër pjesëmarrjes së këtij komuniteti në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Pjesëmarrjen në zgjedhje, ata e kanë cilësuar si integrim në institucionet e shtetit të Kosovës, të cilin thanë se nuk e njohin. Kurse, thirrjet e Qeverisë së Serbisë drejtuar komunitetit serb për të dalë në zgjedhjet e shpallura nga institucionet e Kosovës, ata i konsideruan si tradhti.

Protestuesve, të cilët në duar mbanin pankarta me porositë, “Nuk duam zgjedhje seperatiste”, dhe “Nuk i duam institucionet e Kosovës”, u është drejtuar edhe Slobodan Samarxhiq, nga Partia Demokratike e Serbisë e Vojisllav Koshtunicës, dikur kryeministër, kurse aktualisht një nga përfaqësuesit opozitar në Serbi.

“Juve ju kërcënohet rreziku që me dhunë t’u lënë në shtetin e huaj, të rrejshëm dhe të vetëshpallur e që quhet Kosovë”, u është drejtuar të tubuarve Samarxhiq.

Qytetarët që po protestonin, shprehnin drojën se me dalje në zgjedhje ata do të shkëputeshin nga shteti serb dhe, përveç kësaj, do të humbnin edhe vendet e punës.

Nga këshilli kundër zgjedhjeve, masës i është drejtuar Bogdan Shpadijer. Ai e ka quajtur Kosovën një tokë të shenjtë serbe, nga e cila, si është shprehur ai, nuk mund të largohen.

“Votimi i së dielës do të jetë votim për institucionet e bashkësisë serbe nën ligjet dhe Kushtetutën e të ashtuquajturit shtet i Kosovës dhe shuarje e institucioneve të Republikës së Serbisë”, ka thënë para masës, Bogdan Shpadijer.

Tubimi protestues në Mitrovicë ka përfunduar pa incidente. Përndryshe, në veri të Kosovës, po zhvillohen paralelisht fushata zgjedhore disa subjekteve dhe kandidatëve që janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje dhe anti-fushata e strukturave që kundërshtojnë zgjedhjet.

Të premten, pritet që në Kosovë të vijë edhe një delegacion qeveritar nga Serbia, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili, veç tjerash, pritet t’i bëjë thirrje komunitetit serb në Kosovë për pjesëmarrje në zgjedhjet e 3 nëntorit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG