Ndërlidhjet

Tërhiqet fletarresti, Vulin mund të vijë në Kosovë


Aleksandar Vulin

Aleksandar Vulin

Prokuroria e Shtetit ka tërhequr fletë-arrestin ndaj ministrit pa portofol për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Me këtë veprim, Prokuroria ka hapur rrugë që Vulin të jetë pjesë e delegacionit të Serbisë, i cili do të vizitojë mjedise të banuara me serbë në Kosovë të premten, në përpjekje të bindjes së këtij komuniteti që sa më masovisht të dalë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 30 tetor 2013, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë që ta tërheq urdhër-arrestin e lëshuar ndaj të pandehurit Vulin, si dhe ka pushuar hetimet, pasi që janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Aty thuhet po ashtu se “Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas marrjes së aktvendimit për fillimin e hetimeve kundër Aleksandar Vulin, ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë dhe kërkesës drejtuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të lëshojë urdhër-arrest ndaj të pandehurit Vulin, ka autorizuar Policinë kufitare që të kryej hetime shtesë lidhur me këtë rast”.

Prokuroria thotë se më 29 tetor, në orën 15.50, ky institucion ka pranuar nga Policia e Kosovës raportin plotësues në të cilin thuhet se gjatë zhvillimit të hetimeve lidhur me këtë rast, që ka të bëjë me vepër penale të kualifikuar si “kalim ilegal i kufirit”, janë siguruar dëshmi, në bazë të së cilave vërtetohet se Vulin, më 16.10.2013, nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës ka hyrë përmes vijës hekurudhore Kralevë-Zveçan-Mitrovicë e Veriut, e cila është pikë e autorizuar për kalim kufitar.

Ditë më parë, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi pati deklaruar se Vulin do të arrestohet nëse hyn në Kosovë, për shkak të kalimit ilegal të kufirit.

Megjithatë, pas këtij lëshimi, tani Vulin, mbase mund të jetë pa ndonjë pengesë pjesë e delegacionit qeveritar serb që do të vizitoj të premten Kosovën, me në krye, zëvendëskryeministrin e parë, Aleksandar Vuçiq.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG