Ndërlidhjet

Kamerat rrisin sigurinë në shkolla


Ilustrim
Ilustrim
Në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit janë raportuar 213 incidente, ku janë përfshirë nxënësit në gjitha shkollat e Kosovës.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, bazuar në statistikat e tyre, thonë se shkalla e incidenteve ku janë të përfshirë nxënësit, ka rënë krahasuar me vitet paraprake, por incidentet e tilla ende mbeten shqetësuese.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se organet e rendit, ashtu sikurse e gjithë shoqëria, shfaqin shqetësimin për dhunën ndërmjet të rinjve, sidomos nëpër shkolla, ndonëse ajo ka shënuar rënie.

Sipas Kamberit, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Policisë së Kosovës, në nivel të çdo stacioni policor janë formuar ekipe të veçanta që merren me parandalimin e rasteve dhe incidenteve në shkolla .

“Bazuar në vlerësimet e përgjithshme të Policisë së Kosovës lidhur me incidentet në shkolla, mund të themi se situata e sigurisë në shkolla është shumë më e mirë sesa vitet paraprake. Rastet që denoncohet në polici, janë ato që ndodhin rreth shkollës”.

“Ndërsa, rastet që kanë ndodhur në brendi të shkollave, janë më të rralla. Ato denoncohen nga udhëheqësit e shkollave apo nga arsimtarët, si dhe nga personat që janë të përfshirë në rast. Policia intervenon në ato raste kur njoftohen. Policia ka një bashkëpunim të mirë me drejtues shkollash, dhe ne, si polici, jemi në kontakt të vazhdueshëm për një ambient më të sigurt”,
thotë Kamberi.

Por, Hajzer Ahmeti, zëvendësdrejtor i gjimnazit ‘’’Frank Bardhi’’ në Mitrovicë, thotë se dukuria e dhunës në shkolla, duhet të evitohet si fenomen.

Sipas tij, dhuna shprehet më së shumti nga nxënësit, tek ata mësimdhënës që nuk janë të përgatitur sa duhet dhe nuk kanë atraktivitet në orën mësimore.

“Nëse flasim për dhunën, si dukuri negative, kjo është e shprehur, por jo në të gjitha shkollat. Dhuna më shumë shprehet në shkollat fillore. Kjo dukuri negative duhet të flaket. Do të ishte mirë një bashkëpunim i trekëndëshi pedagogjik familja - shkolla - shoqëria, të bëjnë një përzgjedhje më të mirë për evitimin e dhunës në vendin tonë”.

“Dhuna shprehet më së shumti nga nxënësit te mësimdhënësit që nuk janë të përgatitur sa duhet dhe nuk kanë atraktivitet në orën mësimore. Mendoj se këtu duhet të punohet më shumë dhe mos t’i jepet hapësirë nxënësit që të veprojë brenda orës”, thekson Ahmeti.

Merita Luzha, qytetare, thotë se dhuna e fëmijëve ndaj fëmijëve të tjerë shfaqet dhe reflektohet edhe nga dhuna në familje e atyre fëmijëve. Sipas saj, meqë është shumë e pranishme në shkolla, do të duhej që në mënyrë institucionale të bëhet vetëdijesimi i fëmijëve përmes programeve të caktuara.

“Mendoj se ka dhunë në shkolla dhe kjo reflektohet nga dhuna në familje. Nuk mendoj se shkolla është e sigurt, për shkak se askush nuk merret me atë punë. Nuk i kushtojnë kujdes, as profesorët, as mësuesit, për atë që fëmijët shfaqin dhunë ndaj njëri-tjetrit. Mendoj se do të ishte mirë të ketë programe të posaçme, që do t’i vetëdijesonin fëmijët lidhur me këtë dukuri”, shprehet ajo.

Derisa Ibush Llapashtica, zëvendësdrejtori i Shkollës së Mesme ‘’Sami Frashëri’’, në Prishtinë, thotë se në shkollën që ai udhëheq, siguria e nxënësve është në nivel.

“Sa i përket sigurisë, në gjimnazin tonë, situata është e kënaqshme duke marrë parasysh numrin e madh të nxënësve që frekuentojnë, janë rreth 2930 nxënës. Ka kamera në objektin tonë dhe janë nën vëzhgim, si brenda, ashtu edhe jashtë. Incidente të theksuara nuk kemi, edhe pse nxënësit kanë zënka të ndryshme, por jo diçka që ia vlen të theksohet”, tregon Llapashtica.

Ndërkaq, edhe Hajzer Ahmeti pohon se instalimi i kamerave në objektet shkollore, po tregon efektin e vet pozitiv, sa i përket sigurisë së nxënësve.

“Instalimi i kamerave ka kaluar si një rutinë, po instalohen kamera dhe e kanë efektin e vet. Me kamerë ka pamje dhe është nën kontroll gjithçka. Në institucione shkollore duhet paralajmëruar se janë nën vëzhgimin e kamerave, kështu që nxënësi që hyn në institucion duhet ta ketë në ndërdijen e vet se është duke u vëzhguar. Mendoj se kjo ndikon pozitivisht në sigurinë brenda objekteve shkollore”, pohon Ahmeti.
XS
SM
MD
LG