Ndërlidhjet

Gjermani: Hetuesit e gatshëm të takohen me Snowdenin


Edward Snowden (majtas) dhe Hans-Christian Stroebele

Edward Snowden (majtas) dhe Hans-Christian Stroebele

Ministri i brendshëm i Gjermanisë, Hans-Peter Friedrich, thotë se do të provoj ta organizoj një takim ndërmjet hetuesve gjermanë dhe ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, nëse Snowden është i gatshëm të flasë lidhur me vëzhgimin e Shteteve të Bashkuara ndaj kancelares gjermane, Angela Merkel.

Këto komente të ministrit, që i ka bërë për gazetën gjermane “Die Zeit”, janë konfirmuar nga një zëdhënës i tij.

Anëtari i Parlamentit të Gjermanisë, Hans-Christian Stroebele, është takuar me ish-kontraktorin e inteligjencës amerikane, Edward Snowden, dhe tha se Snowden është i gatshëm ta ndihmoj hetimin e Berlinit, lidhur me përgjimin amerikan të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Deputeti gjerman tha se Snowden i ka thënë se parimisht është i gatshëm të paraqes dëshmi në Gjermani ose në Rusi, për spiunimin e dyshuar të Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e Gjermanisë tha se nuk ishte e informuar për udhëtimin e deputetit Stroebele në Rusi.

Snowden është i akuzuar për spiunim në Shtetet e Bashkuara për shkak të zbulimit të informacioneve sekrete për programet e monitorimit të Shteteve të Bashkuara në gjithë botën.

Akuzat se Agjencia Kombëtare e Sigurisë e Shteteve të Bashkuara e ka monitoruar telefonin e kancelares Merkel, kanë shkaktuar zemërim të thellë në Gjermani.

Snowdenit i është dhënë azil i përkohshëm në Rusi.
XS
SM
MD
LG