Ndërlidhjet

Jahjaga: Manipulimi i votës ndëshkohet rëndë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ua ka kujtuar të gjithë atyre që duan të manipulojnë me vullnetin e qytetarëve, se ndëshkimi për këtë vepër penale do të jetë rigoroz.

Një ditë para zgjedhjeve komunale, presidentja e shtetit mblodhi në zyrën e saj të gjithë hisedarët që duhet të garantojnë një proces fer dhe transparent zgjedhor, dhe para tyre përcolli porosinë.

“Vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është e paprekshme, e pashkelshme dhe e lirë. Çdo përpjekje për të prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës, do të ndëshkohet fuqishëm”, tha ajo të shtunën.

Presidentja Jahjaga priti sot paradite kryeprokurorin e shtetit, drejtorin e policisë, kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe koordinatoren speciale të prokurorisë për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Takimi u realizua, sipas saj, me qëllim të sigurimit të një procesi të rregullt, të lirë dhe të drejtë zgjedhor.

E para e shtetit theksoi se nga Kosova pritet një pjekuri politike dhe përkushtim për të ndërtuar një vend demokratik dhe gjithëpërfshirës. Sipas Jahjagës, zgjedhjet e 3 nëntorit sigurojnë tërësinë territoriale dhe subjektivitetin e vendit.

“Shkeljet janë të patolerueshme dhe të papranueshme, sepse ato do ta pengojnë rrugën tonë drejt ndërtimit të shtetit demokratik, të lirë dhe të barabartë me të gjitha shtetet tjera kudo në Evropë”, theksoi Jahjaga.

“Zgjedhjet lokale që përfshijnë edhe komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do të mundësojnë integrimin e qytetarëve të komunitetit serb në këto komuna, në shoqërinë dhe në institucionet e vendit, duke ndihmuar kështu në përshpejtimin e rrugës evropiane për Kosovën”, shtoi presidentja Jahjaga.

Ruajtja e votës së qytetarëve është identifikuar nga faktori i huaj dhe vendor, si një prej problemeve akute që Kosova nuk po arrin ta eliminojë.

Diplomatë perëndimorë kanë paralajmëruar ndërkaq se tendenca e manipulimit të votave do të bartë pasoja për integrimet evropiane të shtetit.

Presidentja Atifete Jahjaga tha ndërkaq se ky proces zgjedhor për të parën herë prej pas pavarësimit, do t’u mundësojë edhe qytetarëve serbë në veri që të integrohen në shoqërinë dhe institucionet e vendit, që do të ndihmojë përshpejtimin e rrugëtimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime, në çdo cep të Republikës së Kosovës, do të sigurojë zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë e legalë, që do të punojnë me përkushtim për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për mirëqenien e përgjithshme në vendin tonë”, u shpreh ajo.

Serbët veriorë kanë refuzuar që të kenë çfarëdo lidhje me Prishtinën zyrtare prej pasluftës.

Por, pas marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve të ndërsjella, Beogradi zyrtar ka ftuar serbët e Kosovës që të dalin në votime.

Gjatë fushatës parazgjedhore, ka pasur incidente të ndryshme në veri të vendit, ku kandidatët për asamblistë dhe ata për kryetarë të komunave në veri, janë rrahur, familjet e tyre janë kërcënuar, ndërsa prona e tyre është sulmuar me bomba.

Sipas presidentes Jahjaga, e drejta e secilit qytetar, “për të votuar dhe për t’u votuar” është e garantuar me Kushtetutë dhe cenimi i kësaj të drejte, ndëshkohet me ligj.
XS
SM
MD
LG