Ndërlidhjet

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë të ditur se pjesëmarrja në votimet për pushtetin komunal ka arritur në 45.79 për qind, duke mos i llogaritur katër komunat në veri të Kosovës. Në këtë përqindje është llogaritur pjesëmarrja në këto komuna deri në orën 15:00.

KQZ ka kërkuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të ndihmojë në bartjen e materialit zgjedhor nga komunat në veri të Kosovës, në qendrën e numërimit.

Kjo situatë vjen si pasojë e sulmeve që kanë ndodhur në disa qendra votimi në veri të vendit, kryesisht në veri të qytetit të Mitrovicës.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se "banda serbe në veri në mënyrë të organizuar, në disa raste të maskuara e të tjera të pamaskuara janë futur nëpër qendra të votimit në veri për të shkatërruar materialet zgjedhore".

Sipas Dushit, kishte raste kur materiali zgjedhor ishte shkatërruar, por edhe kur kishte shpëtuar dhe është kthyer në vendin përkatës.

“Për këtë arsye, OSBE-ja, si lehtësuese e zgjedhjeve në veri ka kërkuar nga KQZ-ja që të mbyllen para kohe qendrat e votimit në veri. Por, kjo kërkesë erdhi pak minuta para orës 19:00 kështu që nuk u asnjë vendim”, ka thënë ai.

Diçka më qetë, sipas Dushit, ishte në Leposaviq e Zubin Potok.

“Por duket se kemi të bëjmë një skenar për dëmtimin e këtij procesi”, ka vlerësuar ai.

Policia e Kosovës pranë Shkollës Fillore "Sveti Sava”

Policia e Kosovës pranë Shkollës Fillore "Sveti Sava”

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se një grup personash të maskuar ka sulmuar një qendër votimi në veri të Mitrovicës, në shkollën fillore “Sveti Sava”, duke dëmtuar materialin zgjedhor.

Ajo ka theksuar se personeli i KQZ-së nga ajo qendër votimi ishte larguar dhe procesi është ndërprerë.

Daka tha gjithashtu se lidhur me kërtë rast janë njoftuar të gjitha autoritetet e rendit, policia e Kosovës, EULEX-i dhe faktorët tjerë relevantë.

Zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës, misioni në Kosovë, Nikola Gaon, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pjesëtarët e stafit të këtij misioni janë larguar nga tri qendra votimi në veri të Mitrovicës, për shkaqe të sigurisë.

Gaon ka theksuar se kjo ka ndodhur pas sulmit në qendrën e votimit “Sveti Sava” ku persona të maskuar kanë dëmtuar materialin zgjedhor dhe ambientet e kësaj qendre.

“Stafi është larguar nga 3 qendra të votimit në veri të Mitrovicës, nga qendra e votimit ‘Sveti Sava’, qendra e votimit ‘Shkolla teknike’ dhe qendra e votimit ‘Shkolla e mesme e mjekësisë’. Siguria e stafit tona ka qenë e rrezikuar dhe ne kemi vendosur ta largojmë atë”, ka thënë Gaon.

Sulmi ndaj qendrës së votimit “Sveti Sava” ka ndodhur rreth orës 17 e 15 minuta.

Përfaqësuesit e shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, kanë deklaruar më herët se janë duke i mbikëqyrur të gjitha vendvotimet në veri të Kosovës.

Sipas tyre, kjo mbikëqyrje nuk po bëhet për të kërcënuar votuesit potencial, por sepse ata posedojnë informata se vendvotimet mund të sulmohen me qëllim që të fajësohet vetë Shtabi për bojkotimin e zgjedhjeve.

Nebojsha Joviq, përfaqësues i këtij shtabi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për një gjë e tillë, sipas informatave që posedojnë, mund të ndodhë në ndodhë në orët e vona të pasdites.

“Ka indikacione, gjë që mund të jetë shumë e rrezikshme dhe për këtë dua të tërheq vëmendjen, sepse kemi informata konkrete që nëse përqindja e votuesve mbetet e vogël, atëherë në orët e vona të pasdites ose në mbrëmje, mund të presim sulm nga disa njerëz me ‘fantom kapela’, të cilët do të dalin me shkopinj bejsbolli...kështu flitet, dhe se do të shkatërrojnë vendvotimet dhe mbase edhe t'i sulmojnë njerëzit në këshillat zgjedhore”, ka theksuar Joviq.

Pjesëmarrja deri në orën 15:00


Ndryshe, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në Kosovë, deri në orën 15, ka arritur mbi 33 % në gjithë territorin e Kosovës, kanë bërë të ditur zyrtarët e KQZ-së.

Kryetarja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një konferencë për media tha se kjo përqindje në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009 është me e madhe.

Një vëmendje e posaçme këtyre zgjedhjeve po i kushtohet situatës në veri, prej nga raportohet për disa pengesa në procesin e votimit nga grupe të caktuara të serbëve.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se këto grupe, "nuk janë duke lejuar qytetarët që lirshëm të shprehin vullnetin e tyre qytetar për të votuar".

Daka tha se "para dhe gjatë fillimit të hapjes së vendvotimeve, komisionarë janë penguar në punën e tyre".

“Për këtë gjendje janë informuar edhe Policia e Kosovës edhe institucionet e tjera relevante. Mirëpo, do ta njoftojmë edhe Bashkimin Evropian, edhe misionin e OSBE-së, edhe pse OSBE-ja është e informuar, sepse është në pjesën veriore”, u shpreh ajo.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë, por me tensione.

Megjithatë, ai deklaroi se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë ende duke qëndruar në rrugë dhe shihen duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.

"Së paku në tri lokacione të ndryshme në afërsi kemi grupe të qytetarëve të cilët në emër të bojkotimit të këtyre zgjedhjeve shprehin formën e protestimit të tyre. Mirëpo zyrtarisht Policia e Kosovës nuk ka regjistruar asnjë raste të vetëm te kërcënimit, ose të sulmit ose të çfarëdo lloj tjetër të kërcënimit ndaj qytetarëve për të ushtruar drejtën e tyre të votës”, tha Hoti.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor me rreth 1, 600 vëzhgues në të gjithë territorin e Kosovës, deri më tash ka vërejtur disa parregullsi të vogla.

Shqipe Pantina anëtare e bordit të “Demokracisë në Veprim” përmend disa nga parregullsitë në vendvotime.

Deri në orën 12:00 në të gjithë vendin, kanë dalë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar 14 për qind e qytetarëve të regjistruar në listat e votuesve. Vazhdon votimi familjar. Një gjë tjetër që është vërejtur, është se në disa qendra të votimit në disa komuna, vërehen persona të cilët qëndrojnë jashtë qendrave të votimit, që i bëjnë presion qytetarëve për të votuar kandidat dhe subjekte të caktuara“, thotë Pantina.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në orë 7:00 janë hapur qendrat e votimit, kurse ato do të mbyllen në orën 19:00.

Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në garën për t’u zgjedhur kryetar në 38 komuna të Kosovës, janë 224 kandidatë, kurse për asambelistë komunalë garojnë 7,704 kandidatë.

Lista përfundimtare e votuesve 2013 përmban 1, 779 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetetetë komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numri i qendrave të votimit është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2, 366, me një rritje prej 86 vendvotimesh nga zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu lista e votuesve jashtë Kosovës 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8, 383.

Klikoni këtu për të parë numërimin e votave
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG