Ndërlidhjet

Graçanica voton e qetë


Votimet në Graçanicë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

Votimet në Graçanicë

Komisionarët kishin dalë në korridor dhe po debatonin rreth mënyrës se si duhet të kontrollohen qytetarët që po vinin për të votuar në Shkollën fillore "Sveti Sava", në Graçanicë.

Madje, njëri kërcënoi edhe se do të thërrasë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të raportuar dyshimin se llamba fluoreshente nuk po funksionon si duhet.

Ndërkohë, keqkuptimi u sqarua dhe komisinoarët u kthyen në klasën ku ishin të ngarkuar të mbikëqyrnin procesin zgjedhor të dielën në mëngjes.
Kjo qendër e votimit, ishte hapur me kohë për votim, ndërsa të parët që ia mësynë ishin të moshuarit.

Dikush e gjente emrin me lehtësi dhe votonte, por kishte edhe të atillë që endeshin nga njëra klasë e shkollës në tjetrën, për të gjetur veten në listën e votuesve.

Ata që votuan ndër të parët, shfaqin shpresën se do të vijnë ditë më të mira në komunën e tyre, e cila është vendbanimi më i madh me shumicë serbe në jug të Mitrovicës.

Zhivojin Mikiq, një pensionist kishte dalë herët për të votuar, madje edhe para se të merrte urimet e para për ditëlindje, pasi sot kishte mbushur 82 vjet.

“Po shpresoj për një jetë më të mirë. Për të tjerët, sepse për mua njëjtë, jam mësuar me vuajtje prej fëmijërisë. Po më vjen keq për këtë rini. Shpresoj se ata do të lirohen nga kjo ligështi e deritashme dhe t’u ecën jeta për të mirë, që të kenë shpresë për ditë më të mira”, tha Mikiq, i cili shpjegon se ka 13 stërnipa, 18 nipa, që ia dhuruan 3 djem e dy vajzat e tij.

“Graçanica ka përparuar, por jo mjaftueshëm. Duhet më mirë, duhet më lirshëm. Të gjithë jemi njerëz, dhe të gjithë duhet të ecim bashkërisht. Që njerëzit të mos urrejnë njëri-tjetrin, por të jenë të bashkuar siç ishim dikur”, thotë ai.

Kurse, Sllobodan Nedelkoviq, një burrë në të tridhjetat shprehet:

“Pres një të ardhme të sigurt, dhe më të mirë posaçërisht për të rinjtë, dhe të gjithë ata që kanë mbetur në Kosovë”.

Nazmi Shaqiri, një rom në të dyzetat, ndërkaq, thotë se është zgjuar herët për të dhënë kontributin e tij si qytetar.

“Ta shohim se kush do të na çojë përpara, sepse ne po luftojmë për të drejtat tona. Presim që zgjedhjet të na përmirësojnë jetën për të mirë”, thotë Shaqiri.

Jashtë qendrës së votimit 3401e në Graçanicë, po bënin roje disa policë, të cilët jozyrtarisht thonë se në këtë vendvotim nuk kanë pasur asnjë problem.

Incidente s’janë raportuar as te vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë në këtë komunë.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (BE MVZ), Roberto Gualtieri, i cili po inspektonte vendvotime dhe qendra të ndryshme të votimit në nivel vendi, tha për mediat se ky proces zgjedhor është shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Kam kënaqësinë që jam këtu, dhe që po kontribuoj për këtë ditë të rëndësishme për Kosovën, për konsolidimin e demokracisë së saj, dhe po ashtu për normalizimin ose procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, u tha ai gazetarëve të dielën në mëngjes gjatë vizitës në qendrën e votimit 1922e që gjendet në shkollën fillore "Emin Duraku" në Prishtinë.

“Mendojmë dhe shpresojmë që prania jonë do të kontribuoj për të konsoliduar dhe ngritur besimin e votuesve në këtë proces, për [një proces] fer, të hapur dhe gjithëpërfshirës”, porositi Roberto Gualtieri.
XS
SM
MD
LG