Ndërlidhjet

logo-print
Mbi pesë mijë qytetarë kanë raportuar për parregullsi në kuadër të fushatës “Voto dhe Vëzhgo” të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Po ashtu, edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim" ka raportuar për një numër të parregullsive, por jo nga ato që kanë mundur ta pengojnë procesin zgjedhor.

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim shpjegon:

Incidentet të cilat kanë ndodhur në Kosovës kanë qenë të karakterit të izoluar dhe vlen të theksohet ndërhyrja e shpejtë e organeve kompetente, të cilat nuk kanë lejuar që këto tensione të ndikojnë në atmosferën e përgjithshme edhe në votimin e lirë të qytetareve. Do të thotë kemi pasur raste të arrestimeve, po asnjë rast të ndërhyrjes së ndërprerjes së vendvotimeve në Kosovë”, tha Kryeziu.

Kryeziu gjatë një konference për media tha se në krahasim me pjesën jugore në veri të vendit, situata ka qenë më ndryshe, e tensionuar dhe incidente ku pasur sulm të një grupi serbësh në qendrën e votimit.

“Atje ka pasur ndërhyrje të grupeve të paautorizuara të cilat kanë shpërnda gaz lotsjellës, ka pasur edhe të shtëna të armëve ku dyshohet se mund të ketë të plagosur”, tha Kryeziu.

Nga ana tjetër, koordinatorja për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se, gjatë gjithë ditës së janë hapur 18 raste, në të cilat janë të përfshirë 31 persona, prej tyre 28 janë të ndaluar dhe 3 janë shoqëruar në stacione policore.

Polica e Kosovës ka vlerësuar se procesi i votimit ka kaluar i qetë me disa incidente të vogla, që sipas zëdhënësit të policisë, Baki Kelani, nuk kanë penguar procesin zgjedhor.

Sa i përket vlerësimeve nga aspekti i sigurisë nga Policia e Kosovës, vlerësojmë se ka qenë një proces i qetë i percjellë nga disa incidente, incidente që nuk kanë ndikuar në pengimin e procesit zgjedhor, pra çdo gjë ka kaluar qetë. Këto incidente Policia e Kosovës së bashku me prokurorinë dhe prokurorët përkatës të cilët kanë qenë të kyçur në rajone të caktuara kanë intervenuar dhe reaguar menjëherë”, shpjegoj Kelani.

Sido që të jetë, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur që ka organizuar fushatën “Voto dhe Vëzhgo”, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se çdo i katërti votues ka dërguar mesazh ka raportuar për probleme me listën e votuesve dhe emrat e personave që nuk jetojnë më.

Në komunikatë thuhet se “çdo i shtati votues ka raportuar probleme me menaxhimin e keq të vendvotimit, nga problemet me spërkatje të gishtave, deri te abuzimet e shumta të komisionarëve, derisa në orët e mbrëmjes u raportuan edhe raste të ndaljes së energjisë elektrike”.

Një problem tjetër ishte edhe fotografimi i votës dhe asistimi, ose siç thuhet në komunikatën e “Voto dhe Vëzhgo”, drejtimi i votës nga kryefamiljari.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG