Ndërlidhjet

Shumica e komunave më të mëdha shkojnë në balotazh


Nga një vendvotim në Prishtinë...

Nga një vendvotim në Prishtinë...

Shumica e komunave më të mëdha të Kosovës pritet t'i nënshtrohen garës së balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e rinj.

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (të publikuara online) kanë nxjerr si përfundim vazhdimin e garës për kryetar në komunat si Prishtina, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjilani, Malisheva, Suhareka, Rahoveci e komuna tjera.

Në Prishtinë, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.

Në Gjakovë, Mimoza Kusari – Lila e Aleancës Kosova e Re do të jetë në balotazh me Pal Lekajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Një garë interesante pritet edhe në Prizren, ndërmjet kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.

Në Pejë, ndërkaq, sipas rezultateve preliminare, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet Gazmend Muhaxherit të LDK-së dhe Ali Berishës së AAK-së.

Balotazhit, pritet t’i nënshtrohen edhe kandidatët për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Qemajl Mustafa i PDK-së.

Edhe për Mitrovicën e Jugut, pritet të ketë balotazh ndërmjet kandidatit të PDK-së, Avni Kastrati dhe atij të AKR-së, Agim Bahtiri.

As komuna e Ferizajt nuk ka zgjedhur në raundin e parë kryetarin. Për të parin e Ferizajt, votuesit e kësaj komune do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatin e PDK-së, Agim Aliu dhe atë të LDK-së, Muharrem Svarça.

Po ashtu, balotazh, pritet të ketë edhe në Malishevë, ku ndërmjet kandidatit, Ragip Begaj nga iniciativa qytetare për Malishevën dhe Sali Morina nga LDK-ja.

Edhe Rahoveci, pritet të shkoj në balotazh me kandidatët, Idriz Vehapi i PDK-së dhe Smajl Latifi i AAK-së.

Garës së balotazhit pritet t’i nënshtrohen edhe komuna tjera.

Një risi në këto zgjedhje paraqet edhe lista serbe, subjekt ky i sponsorizuar nga Beogradi zyrtar, e cila ka siguruar balotazh në komunat me shumicë serbe të cilat në mandatin e kaluar janë udhëhequr nga subjekte politike lokale ndaj shtetit të Kosovës.

Gara e balotazhit për kryetarët e komunave pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.

Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e sivjetme lokale morën pjesë 814.780 votues nga rreth 1.8 milion sa ishin të regjistruar, ose 45.79 për qind. Ky numër i votuesve, sipas KQZ-së, është rritur për rreth 100 mijë.

Për informacione të rezultateve në komunat tjera të Kosovës, klikoni këtu.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG