Ndërlidhjet

Beogradi: Rezultatet në veri nuk mund të pranohen


Veri...
Veri...
Qeveria e Serbisë thotë se rezultatet e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të pranohen dhe se çelësi i situatës tani është në duart e Brukselit.

Drejtori i Zyrës për Media i Qeverisë në Beograd, Milliovoje Mihajlloviq, ka thënë se në aspektin politik, të dielën ka ndodhur “dështim i zgjedhjeve”.

Duke folur për mediat serbe, ai ka thënë se zgjedhjet kanë qenë shans për serbët e Kosovës që të inkuadrohen në jetën politike dhe që të zgjedhin udhëheqësit e tyre, të cilët do të ndikonin në jetën e përgjithshme të këtij komuniteti.

Të dielën pasdite, persona të maskuar kanë hyrë në tri qendra votimi në veri, duke demoluar hapësirat e votimit dhe duke çuar në ndërprerjen e procesit.

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili ka pasur mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të lehtësuar procesin zgjedhor në katër komunat veriore me shumicë serbe, nuk ka marrë përgjegjësinë për prishjen e këtij cikli.

I pyetur nëse zgjedhjet do të përsëriten në veri, Mihajlloviq ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë, porse vendimin për këtë e sjell Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, i cili mund të ndikohet edhe nga OSBE-ja.

Mihajlloviq, një pjesë të fajit për “dështim”, ia ka hedhur qeverisë së tij dhe asaj në Prishtinë.

Sipas tij, autoritetet në Beograd është dashur të identifikojnë dhe të izolojnë huliganët, derisa ato në Prishtinë kanë krijuar probleme me simbolet në fletëvotime dhe me listat zgjedhore.

“Prishtina ka bërë çdo gjë që serbët të bojkotojnë zgjedhjet, sepse ka shumë frikë nga serbët që mund të organizohen dhe të ndikojnë në qeverisje”, ka thënë Mihajlloviq.

Mendoj se Prishtina dëshiron të vazhdojë agoninë dhe çelësi për zgjidhjen e këtij problemi është tani në duart e Brukselit, ka shtuar ai.

Bashkimi Evropian ka dënuar incidentet e dhunshme në veri, të cilat, sipas tij, kanë shkatërruar zgjedhjet në këtë pjesë.

Disa parti opozitare në Serbi kanë thënë se zgjedhjet lokale në Kosovë kanë qenë edhe një humbje e përbashkët për popullin serb.

“Natyrisht se qeveria e ka përgjegjësinë më të madhe, por atë çfarë ka ndodhur dje në Kosovë nuk dua ta shoh vetëm si problem të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministrit Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiq. Ai është problem i yni i përbashkët”, ka thënë kryetari i Partisë Liberal-Demokrate në Serbi, Çedomir Jovanoviq.

Zgjedhjet e 3 nëntorit kanë dalë nga Marrëveshja e 19 prillit midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Ato, për herë të parë që nga paslufta, kanë përfshirë edhe komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe janë mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Procesi është paraparë që të çojë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të kishte disa kompetenca në qeverisje.

Analistët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se incidentet në veri mund të kërcënojnë rrugën evropiane të Serbisë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG