Ndërlidhjet

Kryeministri Thaçi: Kosova e kaloi testin evropian


Kryeministri, Hashim Thaçi
Kryeministri, Hashim Thaçi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media vlerësoi procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

“Sot për shtetin e Kosovës, për të gjithë qytetarët e saj është një ditë e lumtur dhe e gëzuar, pasi që dihet, përmbyllëm një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit tonë, sovranitetit dhe institucioneve demokratike dhe legjitime të Republikës së Kosovës”, ka thënë mes të tjerash Thaçi.

Kryeministri ka falenderuar qytetarët dhe subjektet politike garuese, për një proces të “mirëfilltë demokratik, të qetë, të organizuar mirë dhe me standardet më të larta ndërkombëtare”.

Thaçi ka potencuar rëndësinë e mbajtjes për herë të parë të zgjedhjeve edhe në komunat veriore, duke konsideruar se “Kosova e kaloi testin evropian me organizimin e zgjedhjeve fer, demokratike dhe në të njëjtën kohë dhe, për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Tutje në lidhje me procesin zgjedhor në veri Thaçi ka thënë se, “Më shumë se 22 për qind e qytetarëve në atë pjesë kanë dalë të votojnë, në mënyrë të qetë dhe demokratike. Kjo dalje dhe pjesëmarrja e tyre do të ishte edhe shumë më e lartë, por grupe të izoluara kriminale penguan daljen në rritje të qytetarëve në zgjedhje. Si pasojë disa qendra të votimit u mbyllën më herët se ç’ ishte paraparë me ligj”.

Megjithatë kryeministri ka vlerësuar se këto “janë incidente të izoluara, që nuk kanë peshë vendimtare në procesin e zgjedhjeve”.

Në pyetjen e gazetarëve se a ka bazë për anulimin e votimit në veri, Thaçi është përgjigjur, “Unë nuk jam ai i cili duhet ta japë këtë përgjigje pasi që është KQZ-ja dhe ne duhet t’i respektojmë të gjitha vendimet e KQZ-së, por mund të flas nga ajo që unë jam informuar si kryeministër i vendit. Në tri komuna nuk ka dëmtim të procesit elektoral pasi që është shpëtuar materiali votues, ndërsa për disa pika tjera ka mbetur për t’u sqaruar gjithçka sot nga KQZ, OSBE dhe të gjithë mekanizmat e involvuar në këtë proces”

Ndërkohë në pyetjen nëse nga EULEX-i dhe OSBE-ja do të kërkohet llogari ose marrje e përgjegjësisë për eskalimin e situatës, Thaçi ka thënë se, “Ne kemi diskutuar me EULEX-in por edhe me autoritetet tjera, edhe Policia e Kosovës edhe EULEX-i, edhe KFOR-i kanë bërë një punë të mirë, kanë bërë një punë që duhet vlerësuar, ndërsa sa i përket incidentit do të dilet me informatën zyrtare të Policisë së Kosovës, të EULEX-it dhe FKOR-it”.
XS
SM
MD
LG