Ndërlidhjet

Azemi: Maqedonia po mbahet peng nga politikanët


Ngecjet në procesin e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO po keqpërdoren nga zyrtarët aktual maqedonas në pushtet për të instaluar te popullata mendimin se gjoja pikërisht bashkësia ndërkombëtare është kundër integrimit të vendit në këto struktura evropiane.

Vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë evropian në Maqedoni, por edhe mesazhet tjera që janë përcjellë në veçanti pas publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian, dëshmojnë të kundërtën, pasi Brukseli qartë ka bërë me dije se fajtor kryesor për ngecjet është Maqedonia, e cila përveç çështjes së emrit me Greqinë, duhet të zgjidhë edhe shumë çështje tjera.

Kështu vlerëson në një intervistë për Radion Evropën e Lirë, publicisti Emin Azemi, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Përkundër kësaj, ai thotë se pala maqedonase edhe më tej do të tentojë që të ruaj gjendjen e tanishme dhe me ndihmën e mediave që kontrollohen prej saj, do të vazhdojë që për gjithçka të fajësojë bashkësinë evropiane.

“Fitohet përshtypja sikur kjo status-kuo ka prodhuar një qenie politike për një strukturë të caktuar njerëzish sepse në Ballkan ende politikanët mendojnë se mandatet e tyre ngrihen, pra, fitohen mbi vuajtjet e qytetarëve. Këto vuajte të qytetarëve nga propaganda e caktuar politike në Maqedoni prezantohen si komplot ndërkombëtar ndaj Maqedonisë".

"Pra, vuajnë njerëzit këtu sepse gjoja se Evropa nuk po na e do të mirën dhe kështu krijohet një disponim anti-evropian dhe anti-NATO e kështu me radhë dhe kjo po ndodhë për shkak të një kontrolli të tmerrshëm mediatik që po prodhon një të vërtetë dhe vetëm një të vërtetë dhe nuk ka diçka tjetër”, thotë Azemi.

Ai si problem të madh për Maqedoninë sheh edhe raportet e brishta ndëretnike të përcjella me incidente të shumta dhe provokime përmes projekteve të ndryshme që favorizojnë një etnitet.

Për këtë gjendje, ai fajëson edhe partitë politike shqiptare, të cilat me veprimet e fundit sikur vihen në anën e palës maqedonase e cila pretendon se Maqedonia përveç çështjen së emrit, nuk ka as një problem tjetër.

“Mendoj se këtu do të duhej që gishti i akuzës të drejtohet edhe tek politikanët shqiptar, të cilët sa herë që bëhet fjalë për Maqedoninë, ata sikur pajtohen me vlerësimet e përgjithshme se Maqedonia paska problem me Greqinë e Bullgarinë, me Kezharovskin e me komisionin anketues dhe se këndej në planin ndëretnik gjithçka në rregull është".

"Unë e di se në rast se i nxjerrin këto çështje në sipërfaqe, i nxjerrin edhe probleme vetes sepse mospërmbushja e këtyre gjërave në planin ndëretnik tangon edhe mospunën e tyre. Por, unë mendoj se politikanët shqiptar duhet të jenë më aktiv në nxjerrjen në shesh të problemeve të elektoratit të tyre”, shprehet publicisti Azemi.

I pyetur se ku e sheh daljen nga situata në të cilën ndodhet Maqedonia, ai thotë se vendit i nevojitet një alternativë e re, një zë më i fuqishëm i qytetarëve për të reaguar ndaj fenomeneve që kanë ndalur orën për Maqedoninë.

Azemi thotë se zgjedhje të parakohshme edhe mund të ketë ashtu siç flitet në opinionin, por ato për momentin nuk do të mund të zgjidhin situatën e tanishme.

Zgjedhjet nuk po prodhojnë ndonjë reliev tjetër politik, fatkeqësisht. Ne po e shohim gjendjen e opozitës maqedonase, në kampusin maqedonas janë krijuar disa sulltan parti, disa satelit parti të partisë së tanishme në pushtet. Në taborin shqiptar ekziston po kjo status-kuo. E vetmja ndoshta dritë në tunel do të duhej të jetë sektori shoqëror, një aktivitet qytetar më i madh që njerëzve t'ua bëjë me dije se kjo situatë është e padurueshme”, thekson publicisti Emin Azemi.

Maqedonia këtë vit ka marr rekomandimin e gjashtë me radhë për nisjen e bisedimeve me BE-në për anëtarësim, por ky proces në vazhdimësi është kundërshtuar nga Greqia për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit.

Por, në raportin e këtij viti dhe nga vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë nga Bruksel është bërë e ditur se marrja e datës për bisedime do të varet edhe nga çështje tjera, si liria e mediave, sundimi i së drejtës dhe dialogu politik, fusha këto në të cilat Maqedonia ka shënuar përkeqësime vitin e fundit.
XS
SM
MD
LG