Ndërlidhjet

Independent: Arti i plaçkitur nga nazistët, sa vepra jetësore gjenden atje?


Një pikturë e plaçkitur nga Nazistët
Një pikturë e plaçkitur nga Nazistët
Tregimi i një banese të papastër në Munih, në të cilën fshiheshin veprat e mëdha të artit, është një nga ato momentet nga “Heshtja në maje të Darienit”, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze Independent, duke përshkruar gjetjen nga policia të disa kryeveprave të pikturave, që ishin plaçkitur nga nazistët.

Dy vepra që janë gjetur, e pamjet e të cilave janë publikuar deri tash, një autoportret i piktorit Otto Dix dhe vepra e re nga Paul Klee, qartas vlejnë miliona dhe me gjasë, edhe 1400 veprat e tjera, do të jenë në të njwjtën kategori.

Kjo tregon se ne mund të jemi në prag të një epoke në të cilën arritjet e piktorëve të mëdhenj, shumica të tipit të artistëve të shekullit të 20-të, do të duhet të rivlerësohen në mënyrë radikale.

Kjo vetvetiu do të ketë efekte goditëse në punën e artistëve që punojnë sot.

Secila epokë ndërton mbi atë që posa ka kaluar, por nëse arti i asaj epoke del se ka pasur dimensione, cilësi dhe aspirata, që më parë nuk kanë mundur të imagjinohen, nuk janë vetëm historianët ata që do të dëshirojnë t’i vlerësojnë ato rishtas, por këtë do të donin ta bënin edhe artistët bashkëkohës, po ashtu.

Çështje për rikonsiderim do të jetë edhe qëndrimi i udhëheqjes naziste për punën, që ata e kishin përshkruar si “dekadente”, që esencialisht nënkupton çdo gjë që ne mendojmë se është moderne.

Për një kohë të gjatë ishte e njohur se majat e artit modern ishin zhdukur në Gjermani gjatë Rajhut të Tretë; shkruan Independent, dhe shton se deri tash supozimi ishte se veprat që nuk ishin shitur ose kontrabanduar jashtë, ishin shkatërruar, ose qëllimshëm ishin djegur në të njëjtën mënyrë, siç bënë nazistët duke i djegur librat nga autorët, që ata i urrenin, ose si dëm kolateral gjatë fushatës së bombardimeve të britanikëve dhe amerikanëve.

Zbulimi i Munihut i hedhë këto supozime në sferën e dyshimeve. Nëse me të vërtet, ashtu siç pretendohet, “maja e ajsbergut”, tash është vetëm histori e artit, që do të duhet të rishqyrtohet, ku janë këto piktura “dekadente”, që nuk janë shkatërruar ose djegur, por janë fshehur nga liderët nazistë për kënaqësinë e tyre të fshehtë, njëherë pasi lufta të përfundonte dhe Evropa të shtrihej nën këmbët e tyre, ashtu siç ata kishin për qëllim, e shtron pyetjen e përditshmja londineze, Independent.

Çështjet estetike ishin të rëndësishme në masë të madhe nga të gjitha regjimet totalitare në shekullin e 20 në Evropë, dhe të gjitha ato qëllimshëm përpiqeshin ta rimodelojnë botën sipas pamjeve të tyre ideologjike. Stalini ishte tërhequr nga veprat futuristike, që e kishin orkestruar Revolucionin Bolshevik në banalitet të ralizmit socialist.

Musolini, që në mënyrë të qëllimshme ishte përpjekur ta sjellë një epokë të re romake, ishte patron më tepër fleksibil: pjesa më e madhe e arkitekturës “fashiste” të mbijetuar në Itali, e përqafon mënyrën moderne dhe materialet, që teorikisht ishin esencialisht italiane, me cilësi klasike, në mënyrën që edhe sot duket e freskët.

Me gjasë, për shkak se regjimi fashist italian ishte aq rrallëherë i suksesshëm në aspektin tiranik, ashtu siç shpresonte, një rreze e gjërë e artistëve dhe e stileve artistike vazhduan të lulëzojnë në Itali gjatë viteve të 30-ta.

E përditshmja londineze, Independent, shkruan se Hitleri, piktor i dështuar i skenave romantike, i dha një sasi të madhe të kujdesit të tij për art dhe arkitekturë, por thjeshtë vetëm si instrumente ideologjike: arkitektura kolosale e autorit Albert Speer, që i kishte frikësuar armiqtë e tij, skulptura e Arno Breker, që e kishte idealizuar trupin muskuloz të idealit arian, filmat e regjisores Leni Riefensthal, që i kishin mbushur masat popullore gjermane me një ngrohtësi patriotike.

Mbijetesa e aq shumë arti “dekadent” brenda Gjermanisë, mund të indikojw se, së paku për argëtimin e vet privat, disa liderë nazistë i kishin mbjellw gardhet për mbrojtjen e veprave të artit.

Nuk duhet të harrohet se kjo është pasuri e vjedhur dhe se të mbijetuarit në mesin e atyre që ishin vjedhur, janë pashmangshëm gjallë dhe shumë të moshuar. Ka shumë pak kohë të çmuar që drejtësia të bie në vend.

Konfiskimi i veprave artistike ishte krim, dështimi për ta trajtuar kthimin e veprave të vjedhura si një prioritet urgjent është një tjetër krim, shkruan në fund të artikullit të gjatë e përditshmja londineze, Independent.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG