Ndërlidhjet

Ashton: Dy kryeministrat u pajtuan për hapat e mëtejmë rreth procesit zgjedhor

  • RFE /RL

Catherine Ashton, foto nga arkivi

Catherine Ashton, foto nga arkivi

Pas përfundimit të takimit të së mërkurës në Bruksel, ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, zyra e baroneshës Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, ka lëshuar një komunikatë për media.

“Pata një takim shumë të mirë me kryeministrin serb Ivica Daçiq dhe kryeministrin kosovar Hashim Thaçi. Jam e lumtur që të dy kryeministrat u pajtuan sot për hapat e mëtutjeshëm në përmbylljen e suksesshme të procesit elektoral në veri të Kosovës”, ka thënë Ashton në qëndrimin e saj pas takimit.

Baronesha Ashton ka theksuar se “autoritetet relevante në Prishtinë do të vendosin për elementet specifike të këtij procesi”.

Ajo ka shtuar, se “kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë të punojnë në implementimin e marrëveshjes së prillit dhe se kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të bërë gjithçka që është e për implementimin e plotë të saj”.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, pas përfundimit të takimit, në konferencën me gazetarë, e ka cilësuar takimin si konstruktiv dhe të suksesshëm.

“Zhvilluam një takim konstruktiv, të suksesshëm. Vlerësuam suksesin evropian të Kosovës në këto zgjedhje, me organizimin e zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe me përfshirjen e të gjitha etniteteve. Tashmë KQZ-ja ka marrë vendimin për rivotim në 3 qendra ku kanë ndodhur incidentet. Pra, ishte konkludim i përbashkët që zgjedhjet e suksesshme të 3 nëntorit kanë legjitimuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, për çka realisht është hapur një kapitull i ri - kapitulli evropian edhe për pjesën veriore të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi, pas takimit me Daçiqin.

Duke folur për zgjedhjet, kryeministri ka rikujtuar së raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet në gjithë Kosovën më 1 dhjetor:

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

“Nga 1 dhjetori do t‘i kemi edhe liderët legjitimë edhe në veri dhe Qeveria e Kosovës do të nisë bashkëpunimin e menjëhershëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje për të mirë, sepse kemi edhe vlefshmëri dhe legalitet të plotë të zgjedhjeve”.

Ndërkaq, për marrëveshjen e arritur për doganat nga ana e dy delegacioneve, atij kosovar dhe delegacionit serb, ka thënë se është pjesë e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Prillit:

“Lajm i mirë ishte dje marrëveshja e arritur për Doganat ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, e cila përfundimisht funksionalizon sistemin doganor të Republikës së Kosovës edhe në veri, si pjesë e obligimeve që kanë dalë nga marrëveshja në Bruksel".

I pyetur nga gazetarët për datën e mbajtjes së rivotimeve në veri, Thaçi nuk ka saktësuar ndonjë datë, duke theksuar se kjo është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Vendimi përfundimtar për datën e rivotimit është në autoritetin e KQZ-së dhe ne do ta mbështesim atë vendim, por, sipas ligjit, rivotimi duhet të jetë para raundit të dytë që do të mbahet më 1 dhjetor, në gjithë Kosovën”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, u ka thënë gazetarëve se “e kemi vlerësuar si shumë të mirë atë që e kemi arritur në kuptimin e daljes së serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë”.

Ai ka përsëritur se “shumë herë kemi theksuar se për serbët që jetojnë në Kosovë, është e rëndësisë themelore strategjike, për të ardhmen e tyre, se a do t’i konstituojnë organet e pushtetit të tyre”.

Ivica Daçiq

Ivica Daçiq

Daçiq ka veçuar se “pas këtyre zgjedhjeve, dhe kur të përfundojë rrethi i dytë, më 1 dhjetor, ne në Kosovë, në 10 komunat me popullatë shumicë serbe, me gjasë, do ta fitojmë pushtetin legjitim dhe legal serb, si nga aspekti i Beogradit, i Prishtinës, i Brukselit dhe i gjithë komunitetit ndërkombëtar”.

Kryeministri serb ka pohuar se në Mitrovicën e Veriut do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime.

Daçiq ka deklaruar para gazetarëve se nëse serbët nuk dalin në zgjedhjet e përsëritura dhe në rrethin e dytë, atëherë në Mitrovicën Veriore, për kryetar të komunës, mund të zgjidhet shqiptari.

“Nëse nuk dalin aq serbë, atëherë do të zgjidhet shqiptari për kryetar të komunës. Kjo nxit dhe mund të provokojë spirale dhe shtrohet pyetja se si do të ndodhë atëherë marrja e pushtetit. Sigurisht se do të ketë konflikte, ndoshta edhe konflikt të armatosur, dhe Serbia nuk mund të ndihmojë”, ka deklaruar Daçiq.

Ai ka bërë të ditur se është biseduar edhe për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit, e kryesisht për çështjen e sistemit të drejtësisë, të policisë, e të tjera.

Lidhur me të gjitha këto, ka vazhduar Daçiq, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, do ta përgatisë një raport për Serbinë, i cili pastaj do të shqyrtohet nga BE-ja.

Pas shqyrtimit, do të vendoset se a do të hapen negociatat ose jo me Serbinë për pranim në BE.

“Nëse nuk ka probleme të tjera, ne presim që rekomandimi të jetë pozitiv”, është shprehur Daçiq.
XS
SM
MD
LG