Ndërlidhjet

Rama: Raportet e mira ndëretnike, sukses i përbashkët


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Maqedoni.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Maqedoni.
“Ndërtimi i raporteve të mira ndërfqinjësore si në planin politik, ashtu dhe në atë ekonomik, paraqet udhërrëfyes të rëndësishëm për integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike”, është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit që realizoi me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski.

“Paqja në rajon, ka hyrë në një proces të ri me marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë dhe për ne, kjo është një dritare e re mundësish, për zhvillim rajonal ekonomik dhe social. Dhe, na takon neve të gjithëve, qeverive të rajonit, që këtë mundësi të madhe të rajonit ta kthejmë në mirëqenie për njerëzit tanë”, ka theksuar Rama.

Ai ka shtuar se Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë pikë referimi për procesin e brendshëm politik të Maqedonisë.

“Për ne, për Shqipërinë dhe për shqiptarët, është e rëndësishme që edhe vetë Marrëveshja e Ohrit të jetë pikë referimi në të gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet dita-ditës, si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve këtu dhe suksesit të këtij vendi, për të cilin edhe ne jemi shumë të interesuar dhe e mbështesim”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë, duke folur për marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e shqiptarëve, kryeministri Rama ka thënë se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe njëherësh të rëndësishme për të ardhmen e vendit:

“Sigurisht se ne ndjejmë shqetësim në momentet kur shfaqet jotolerancë, kur shfaqet dhunë e natyrës ndëretnike dhe kemi qenë dhe do të mbetemi gjithmonë të vendosur që të bëjmë vazhdimisht thirrje për qetësi, maturi se mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike është edhe suksesi i përbashkët”.

Në këtë drejtim, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka deklaruar se takimi i së mërkurës është në vazhdën e takimeve në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve me fqinjë, ndërkohë që raportet ndëretnike i ka cilësuar si të mira dhe stabile.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, priti për vizitë homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, priti për vizitë homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama.
“Raportet ndëretnike në Maqedoni i vlerësoj si stabile, të hapura për dialog për të gjitha palët e interesuara”, ka deklaruar Gruevski, duke theksuar angazhimin e përbashkët të dy qeverive për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE dhe NATO.

I pyetur nga gazetarët se si e sheh bllokimin e procesit të integrimit të Maqedonisë si pasojë e moszgjidhjes së çështjes së emrit, Rama është shprehur:

“Sa më shpejt të integrohet në NATO dhe BE, aq më mirë është për rajonin, aq më mirë është për shqiptarët që jetojnë këtu dhe kudo që jetojnë, aq më mirë edhe për maqedonasit. Kështu që ne jemi të bindur se çdo vonesë në këtë drejtim ngado që të vijë, cenon prosperitetin dhe procesin shumë të rëndësishëm të integrimit dhe zhvillimit të këtij rajoni që sot e kësaj dite është i prapambetur për shkak të një historie konfliktesh dhe mosmarrëveshjes. Por, sot ka mundësinë të shfrytëzojë paqen si një hapësirë për zhvillim”.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në vilën presidenciale në Vodno është pritur edhe nga kryetari i shtetit, Gjorgje Ivanov.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në selinë qendrore të partisë në Tetovë, kryeministrit Edi Rama i është ankuar për pozitën e rëndë, në të cilën ndodhen shqiptarët e Maqedonisë.

”Kam theksuar se ne jemi tërësisht të pakënaqur si parti me shkatërrimin e plotë që i bëri Qeveria Marrëveshjes së Ohrit dhe në të njëjtën kohë, me një fenomen të ri, varfërimin e shqiptarëve në mënyrë institucionale që bën Qeveria” , ka deklaruar Menduh Thaçi.

Nga ana tjetër, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se ka dëgjuar me shumë vëmendje të gjithë parashtrimin e kryetarit të partisë opozitare të shqiptarëve, duke theksuar se mbetet i interesuar të dëgjojë me vëmendje, me respekt edhe partinë qeverisëse të shqiptarëve duke theksuar se sa më shumë që bashkëpunojnë këto parti, duke ruajtur identitetin, pozicionet dhe kundërshtinë e tyre, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

"Dëshiroj të theksoj se për ne, për Qeverinë e Shqipërisë, për mua personalisht, është gjithmonë kënaqësi që të jem këtu dhe është privilegj që të jemi të mikpritur siç na mirëpresin miqtë dhe vëllezërit tanë në Tetovë", ka deklaruar kryeministri shqiptar në Tetovë.

Rama vizitën në Maqedoni e ka përfunduar me takimin që ka realizuar me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti ka deklaruar se me kryeministrin shqiptar ka biseduar për shumë çështje të rëndësishme në fushën e arsimit, infrastrukturës së përbashkët, si dhe për përshpejtimin e të gjitha proceseve ndërmjet dy shteteve.

“Njoftova kryeministrin me zhvillimet politike në Maqedoni dhe me dinamikën e materializimit të Marrëveshjes së Ohrit. Gjithashtu, biseduam për çështjet e hapura politike që kanë mbetur dhe që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, siç janë, gjuha shqipe, trajtimi i saj, njëherësh përfshirjen e amendamentit 5 Marrëveshjes së Ohrit në Kushtetutën e Maqedonisë”, është shprehur Ahmeti.
XS
SM
MD
LG