Ndërlidhjet

logo-print

Dështon sërish formimi i Komisionit hetimor për PTK-në


Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të formojë Komisionin hetimor, i cili do t’i vërtetonte procedurat legale të shitjes së aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK).

Seanca e së enjtes, është shtyrë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje midis partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë.

Pjesa e parë e seancës në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar me akuza të ndryshme kryesisht ndërmjet deputetëve të LDK-së dhe PDK-së.

Pas një pauze prej 30 minutave, deputetët e opozitës nuk janë kthyer në seancë, pasi që në pjesën e parë nuk kishte pajtime lidhur me kërkesë e grupit parlamentar të PDK-së që së pari të futet si pikë e rendit të ditës raporti i Qeverisë së Kosovës i proceduar më 27 maj nga Qeveria në Kuvendin e që ka të bëjë më privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, deklaroi se PDK-ja nuk është kundër formimit të komisionit, por sipas tij duhet të ndiqen rregullat e Kuvendit.

“I propozojmë seancës të marrë qëndrim të futet pikë e parë e rendit të ditës para se të procedojmë me pikat e tjera të rendit të ditës të marrim një vendim për këtë pikë. Grupi parlamentari i PDK-së nuk është kundër formimit të çfarëdo komisioni, qoftë ai për të sqarimit të çdo dileme që ngritet para qytetarëve të Kosovës që shkon në interes të sqarimit të tyre, por paraprakisht ne kërkojmë që të respektohet rregullorja dhe procedurat e Kuvendit”, deklaroi Grabovci.

Deputetët e opozitës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kërkuar që komisioni të formohet dhe që të mos futet në rend të ditës ndonjë pikë tjetër për diskutim.

“E kemi thënë edhe me herët që obligimi kushtetues është shumë i qartë, formimi i komisionit dihet se si bëhet. Dhe në vazhdim të seancës nuk mundet kujt t’i teket sa herë që do të propozojë diçka. Në seancat e tjera të reja mund të behët diçka e tillë, në të kundërtën nëse hedhet në votim propozimi i PDK-së, ne nuk do të qëndrojmë në sallë”, tha Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në pjesën e parë të seancës.

Ndërsa, Visa Imeri nga LëvizjaVetëvendosje, tha se derisa ka pasur një tentim për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Parandaj, siç tha ai, formimi i komisionit hetimor për rishikimin e procesit është i domosdoshëm.

“Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë më këtë proces të privatizimit sepse qartazi ka shumë dyshime për parregullsi në të dhe përkundër ligjshmërisë së këtij procesi dhe natyrisht që Kuvendi nuk mund të japë dritën e gjelbër apo ta votojë një proces të kundërligjshëm pa u vërtetuar se ai ka qenë në përputhje. Puna e komisionit hetimor duhet t’i paraprijë çfarëdo vendimi të privatizimit të PTK-së”, u shpreh Imeri.

Ardian Gjini, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka deklaruar se gjendja e krijuar në Kuvendin e Kosovës rreth formimit te komisionit hetimor për PTK-në nuk po i kontribuon askujt.

“Ne nuk besojmë se po ndihmojmë as Kuvendin as Kosovën si deputetë. Fatkeqësisht po duhet ta fusim edhe veten aty, edhe pse roli jonë në vazhdimësi ka qenë konstruktiv”, theksoi Gjini.

Formimi i komisionit hetimor, ishte kundërpërgjigje e opozitës pas vendimit të qeverisë që të shesë 75 për qind të aksioneve të PTK-së konzorciumit gjerman AXOS capital në shumën prej 227 milion euro, nën dyshimet për keqpërdorime.

Iniciativa buron nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas kërkesës, Kuvendi duhej të formonte Komisionin 11 anëtarësh, në të cilin do të ishin të përfshirë anëtarë nga të gjitha grupet parlamentare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG