Ndërlidhjet

Mbrëmjen e 12 tetorit, 2004, Yasser Arafat, kryetari pompoz, autokratik dhe i padepërtueshëm i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, është ulur për darkë në kompleksin e tij të rrethuar në Ramallah të Bregut Perëndimor.

"Një muaj më vonë, Arafati ka vdekur në një spital francez. Nga shkaqe natyrore apo ishte një vrasje e urryer?", shkruan gazeta Washington Post.

Ajo kujton se të mërkurën, një raport 108-faqesh i ekspertëve zviceranë ka zbuluar se testet në eshtrat e zhvarrosura të Arafatit, mbështesin teorinë se vdekja ka qenë pasojë e helmimit me substancën radioaktive polonium-210.

“Kjo ka konfirmuar të gjitha dyshimet tona”, ka thënë e veja e Arafatit, Suha, duke e cilësuar vdekjen e burrit të saj “si krim të vërtetë dhe vrasje politike”.

Ajo nuk ka përmenduar asnjë të dyshuar, por nëse burri i saj është vrarë vërtet, të tillët do të ishin shumë. Ai ka pasur armiq të panumërt – jo më pak se Qeverinë izraelite.

Arafati ka kaluar jetën e tij duke luftuar me izraelitët, fillimisht si luftëtar gueril e më pas si burrështetas. Për dekada të tëra, ai ka shërbyer si udhëheqës i Lëvizjes Fatah. Gjithmonë në uniformën e tij ngjyrë ulliri, me mjekrën gri dhe me shallin në kokë, shkruan Washington Post.

Kritikët e kanë quajtur terrorist dhe e kanë akuzuar për rritjen e pasurisë personale dhe dështim në çështjen palestineze. Mbështetësit e kanë konsideruar si një baba themelues dhe portretin e tij e kanë varur në muret e çdo zyre të Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor.

Para vdekjes së tij më 2004 – më shumë se një dekadë pasi ka nënshkruar Marrëveshjen e Oslos, e cila ka ofruar një premtim ende të papërmbushur të paqes – Arafat është mbyllur në kompleksin e tij në Ramallah nga ushtria izraelite.

Washington Post shkruan se zyrtarët izraelitë, në mënyrë të përsëritur, kanë mohuar se qeveria e tyre ka të bëjë me vdekjen e Arafatit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Yigal Palmor, i ka thënë gazetës Jerusalem Post se gjetjet e Zvicrës janë më shumë dramë, sesa shkencë dhe kanë të bëjnë me betejën e vazhdueshme të së vesë së Araftit me Autoritetin Palestinez.

Suha Arafat, sekretare dhe përkthyese, e cila në vitin 1990 është martuar me beqarin e vjetër, i cili ka qenë dy herë më i vjetër se ajo, ka pasur marrëdhënie të tensionuara me udhëheqjen palestineze.

Ajo është akuzuar se jeton në luks. Tani jeton në Paris dhe jo në territoret palestineze. Ajo është cituar të ketë thënë se ka provuar “njëqind herë” të diovorcohet nga Arafati.

Përveç izraelitëve, të dyshuar për vrasjen e Arafatit, nëse në fakt është vrarë, janë edhe rivalët palestinezë, shkruan Washington Post, ndonëse zëdhënësi i Qeverisë izraelite, Palmor, hedh poshtë idenë se ai mund të ketë vdekur nga shkaqe të tjera, pos atyre natyrore.

“Është shumë e paqartë dhe konfuze. Ajo çfarë është e qartë, është se ka shumë vrima në teori, më shumë se në djathin zviceran”, thotë Palmor.

Hetimi formal për vdekjen e Arafatit ka nisur vitin e kaluar.

Shkencëtarët zviceranë kanë thënë se disa nga 38 mostrat e ekzaminuara kanë treguar nivele të larta të poloniumit.

Menjëherë pasi ka përfunduar darkën, mbrëmjen e 12 tetorit, 2004, ekipi zviceran ka thënë se Arafati, 75 vjeç, i cili ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore për një burrë të moshës së tij, ka treguar shenja rreziku: vjedhje, dhimbje barku dhe diarre, shkruan Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG