Ndërlidhjet

Monitorim (jo) i duhur i ndërmarrjeve të privatizuara


Fabrikë duhani
Fabrikë duhani
Përfaqësues të punëtorëve shprehin shqetësimin se Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk po monitoron në mënyrë të duhur ndërmarrjet e privatizuara me metodën e spin off-it special, konkretisht në përmbushjen e obligimeve sa i përket punësimit të qytetarëve.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka trashëguar nga agjencia e mëhershme 26 ndërmarrje të privatizuara me metodën e spin off-it special.

Privatizimi me këtë metodë, nënkupton që blerësi i ri mos të ndryshojë veprimtarinë e ndërmarrjes dhe duhet të përmbushë zotimet sipas marrëveshjes kontraktuese, ku përfshihen investimet dhe punësimi i një numri të caktuar të punëtorëve.

Haxhi Arifaj, udhëheqës i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, njëherësh anëtar i bordit të AKP-së, thotë se nuk është i kënaqur me vëzhgimin e ndërmarrjeve të privatizuara. Sipas tij, këtë çështje disa herë e ka ngritur edhe tek udhëheqësia e bordit.

“Rreth problemeve të spin off-eve speciale, që AKP-ja i ka trashëguar nga AKM-ja, kemi pasur probleme dhe ne kemi kërkuar, posaçërisht, unë nga BSPK-ja, si anëtar i bordit, shpeshherë kam kërkuar ritenderimin e atyre ndërmarrjeve që nuk i kanë plotësuar kriteret në bazë të tenderit. Më konkretisht po flas për mosplotësimin e numrit të të punësuarave, por njëkohësisht edhe për mosplotësimin e kushtit të tjetër të pagesës”, thotë Arifaj për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, theksojnë se me metodën e spin off-it special janë privatizuar 26 ndërmarrje, katër nga to janë në proces të monitorit, 19 janë liruar nga vëzhgimi, si rezultat i përmbushjes së zotimeve sipas marrëveshjes kontraktuese, ndërkaq tri ndërmarrjeve tashmë u kanë tërhequr aksionet.

Arta Gosalci, zëdhënëse në AKP, tregon se cilat ndërmarrje janë në proces të monitorimit:

“Gjithsej, janë katër ndërmarrje të privatizuara me spin-off special, të cilat AKP-ja është ende duke i monitoruar. Ato janë: Fabrika e Duhanit në Gjilan ‘Tobako’, Minierat e magnezit, e Stezovcit dhe e Goleshit, Fabrika ‘NBI Suhareka’ dhe Fabrika ‘Jugoterm’ “.

“Në rastet kur ndërmarrjet nuk i kanë përmbushur obligimet e parapara me kontratë, atëherë ndaj tyre mund të lëshohen ndëshkime në përputhje me kontratën apo mund t’i merren aksionet nga ana e agjencisë”.


Edhe profesori në Universitetin Publik të Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se autoritetet kompetente duhet të angazhohen më tepër për monitorimin e ndërmarrjeve të privatizuara, sepse, thotë ai, mospërmbushja e obligimeve në kontratë, në mënyrë indirekte ndikon në moszhvillimin ekonomik, rrjedhimisht në uljen e shkallës së punësimit.

“Sipas mendimit tim, kjo duhet sa më parë të bie në pajtim me dispozitat e nënshkruara, sepse mungesa e investimeve që janë paraparë në këto ndërmarrje, ndikon edhe në mos-hapjen e vendeve të reja të punës. Por, në mënyrë indirekte pengon edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, vlerëson Bektashi.

Sidoqoftë, Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk parasheh më aplikimin e metodës së spin off-it special. Por, Agjencia në disa ndërmarrje strategjike vendos kushte për privatizimin e tyre.
XS
SM
MD
LG