Ndërlidhjet

Maqedoni: Rritja prej 2.1%, s'e nxjerr vendin nga kriza


Ilustrim

Ilustrim

Maqedonia këtë vit do ta përfundojë me rritje ekonomike, por parashikimet janë të ndryshme lidhur me përqindjen si dhe pritjet nga një rritje e tillë në aspekt të përmirësimit të standardit të qytetarëve.

Banka Popullore e Maqedonisë ka parashikuar që ekonomia e vendit të shënojë ngritje deri në 3 për qind, ndërkohë që në raportin më të ri të Komisionit Evropian, rritja ekonomike nuk do të jetë më e lartë se 2,1 për qind. Gjithashtu, raporti i publikuar parashikon që trendi i rritjes të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, e që deri në vitin 2015 të arrijë në 2.9 për qind.

Ky raport është pritur me entuziazëm nga institucionet e vendit, sipas të cilave, kjo është edhe një dëshmi se ekonomia e Maqedonisë është vendosur në binarët e zhvillimit të saj të sigurt.

Madje, janë prezantuar edhe analiza sipas të cilave, ekonomia e Maqedonisë po shënon rritje më të madhe se ajo e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike kanë thënë se vlerësimet e tilla janë jo reale dhe shkaktojnë konfuzion, pasi ekonomia e Maqedonisë mund të ketë rritje, por kjo nuk mund të krahasohet me ato të shteteve perëndimore.

Sipas tyre, Maqedonisë i duhen dekada të tërë për të arritur nivelin e zhvillimit të shteteve të rajonit.

“Një rritje ekonomike prej 2 për qind për një vend si Maqedonia, nuk mund të vlerësohet si shumë pozitive në aspekt të asaj se menjëherë do të ndihen efektet e saj në përmirësimin e standardit jetësor apo në uljen e papunësisë në shtet. Që kjo të arrihet, pra, që të ketë rritje të mirëqenies apo të zhvillimit të mirëfilltë, ekonomia e Maqedonisë duhet të shënojë rritje të ekonomisë deri në 6 për qind në 4-5 vitet e ardhshme”, thotë Zoran Ivanovski, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Shkupit.

Ndërkohë, Visar Ademi, po ashtu profesor universitar, thotë parashikimet për rritje ekonomike prej 2 për qind, nuk duhet nënvlerësuar për shkak se edhe Maqedonia po përballet me pasojat e krizës evropiane, meqë partnerë kryesore të saj janë shtetet e BE-së.

Por, Ademi konsideron se, që të ketë efekte pozitive në drejtim të ngritjes së mirëfilltë të ekonomike, strukturat shtetërore duhet të përqendrohen në zhvillimin e degëve ekonomike që nuk janë të njëjta me ato të shteteve të rajonit.

“Pra, problemi është diku tjetër, sepse struktura e ekonomike e shtetit tonë po zhvillohet në degë të ngjashme me ato të ekonomike të rajonit, domethënë ne nuk kemi ekonomi komplementare, ekonomi që i plotëson nevojat e konsumatorëve rajonal - qoftë shqiptarë, serbë e kështu me radhë, por është pak a shumë e ngjashme dhe ky është problemi më i madh, e jo rritja ekonomike prej 2 për qind“, vlerëson Ademi.

Si problem tjetër në ngecjet në zhvillimin e ekonomisë së vendit, Ademi thotë se sheh edhe mungesën e subvencionimit të ideve kreative dhe inovative që do të ofronin vende të reja të punës, apo të depërtonin në tregjet rajonale, si dhe investimet e jashtme, të cilat, përveç ndonjë vendi të ri të punës, nuk kanë arritur ende që për partnerë kryesor të kenë firmat tjera të vendit.

“Këto investime të mos jenë të izoluara vetëm nëpër fushat e Shkupit apo të ndonjë vendi tjetër, por të jenë të integruara në ekonominë e Maqedonisë, duke blerë nga furnizuesit dhe duke shitur partnerëve lokalë. Në qoftë se ato vijnë në zonat ekonomike, nuk do të thotë se kanë ndonjë efekt të madh, sepse ato furnizohen nga jashtë dhe shesin jashtë”, thekson Ademi.

Pavarësisht parashikimet për rritje ekonomike, Maqedonia vazhdon të ketë si problem kryesor papunësinë dhe standardin e ulët të qytetarëve. Kjo është theksuar edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.
XS
SM
MD
LG