Ndërlidhjet

Shqipëria, në udhëkryqin e shkatërrimit të armëve kimike


Pamje nga protesta në Tiranë, 3 nëntor

Pamje nga protesta në Tiranë, 3 nëntor

Shqipëria është kontaktuar nga Uashingtoni për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të gjetura në Siri.

Zyrtarisht në emër te qeverisë shqiptare, është pohuar kjo kërkesë nga ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në një intervistë për të përditshmen franceze Le Monde.

Të premten, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar në një emision televiziv se Shqipëria nuk ka kapacitete per shkatërrimin e armëve kimike, ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence.

Kaq ka mjaftuar që opinioni publik dhe mediatik shqiptar të pështjellohet në dilemën nëse duhet ose jo të pranohet shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri.

Ambientalistë, ish specialistë të ushtrisë dhe qytetarë kanë protestuar të enjten në Tiranë duke mbështetur tezën se shkatërrimi i armëve kimike në vendin tonë, do të ishte edhe një potencial i mundshëm për katastrofë njerëzore.

Ndërkohë ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka shtuar edhe më tej dyshimet që qeveria shqiptare mund të jetë në dilemë për nënshkrimin e marrëveshjes.

Nga Shkodra ai ka bërë një deklaratë që ka lenë vend për interpretime:

“Është në dorën e të gjithë vendeve të përgjegjshme, ku përfshij sigurisht SHBA dhe Shqipërinë, që të punojnë në bashkëpunim për të gjetur mënyrën në kohë dhe me efktshmëri për të eliminuar kërcënimin që paraqet programi i armëve kimike i Sirisë”.

“SHBA dhe Shqipëria janë anëtarë krenare të NATO-s dhe vetëm 26 vende të tjera mund ta pretendojnë këtë status….presim nga të gjithë partnerët e përgjegjshëm që të gjejmë mënyra për të kontribuar , qoftë në forma pajisjesh të specializuara, personelit të trajnuar, ekspertizës, ndihmës financiare, për t’u marrë me kërcënimin ndërkombëtar që kanoset nga armët kimike të Sirisë”, ka thënë Arvizu.

Shqipëria duket një vend, i cili favorizohet për një proces të tillë nisur nga përvoja e mirë e vitit 2007 që ky vend pati me shkatërrimin e me shumë se 16 tone armatim kimik qe pati te mbartur nga regjimi i Enver Hoxhës.

Uzina e Mjekësit në Elbasan, e përdorur në vitin 2008 për demontim predhash, ka nisur të pastrohet dhe ambientet e saj po bëhen gati këto ditë.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se ka qenë një urdhër i ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, për pastrimin sa më parë të sipërfaqes prej 80 mijë metrave katrorë të kësaj uzine.

Procesi i shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri mund te jetë një vlerë e shtuar për qeverinë e Tiranës, politikisht - sepse Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE, dhe financiarisht- pasi ky projekt shoqërohet me një faturë të mirë financiare sipas Charles Duelfer, ish zëvendës kryetar i UNSCOM- komisionit special pranë Kombeve të Bashkuara në vitet 1990.

Por Shqipëria paraqet vështirësi të tjera, duke qenë një vend me infrastrukturë dhe logjistikë jo moderne si vendet e tjera Evropiane, dhe nëse merret vendimi i shkatërrimit të këtyre armëve, atëherë sipas revistës “Foreign Policy” në këtë vend do të instalohen laboratorët lëvizës të aftë për shkatërrimin e armeve kimike siriane, përmes një procesi specifik të njohur si hidrolizë-që nënkupton sasi të mëdha me ujë dhe reagjentë si hidroksid –natriumi.

Burime të ndryshme informacioni bëjnë me dije se qeveria shqiptare do të marrë një vendim në lidhje me pranimin ose jo të shkatërrimit të armëve kimike, brenda datës 15 nëntor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG