Ndërlidhjet

Iran: Mbesin dallimet për programin atomik

  • RFE /RL

Catherine Ashton me sekretarin John Kerry dhe ministrin e Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

Catherine Ashton me sekretarin John Kerry dhe ministrin e Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

Bisedimet për zbutjen e shqetësimeve ndërkombëtare për programin atomik të Iranit, të shtunën kanë hyrë në ditën e tretë.

Në këto bisedime marrin pjesë përfaqësues të Iranit dhe të gjashtë fuqive botërore: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Britania, Kina dhe Gjermania, që njihen si grupi P5+1.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, u tha gazetarëve se “nuk ka siguri” se mund të arrihet marrëveshje. Sipas tij, Franca nuk e ka pranuar një propozim-tekst fillestar për një marrëveshje dhe se duhet të merren parasysh edhe shqetësimet e Izraelit.

Megjithatë, sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, u tha gazetarëve se “negociatat kanë bërë progres të mirë”.

Këto negociata kanë bërë një progres shumë të mirë dhe vazhdojnë të bëjnë progres të mirë. Por, ka ende çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur, prandaj qartazi ato ende nuk janë të përfunduara. Ne do t’i kushtojmë shumë kohë dhe kujdes këtyre çështjeve gjatë bisedimeve dhe për ne nuk është e fiksuar koha për arritjen e konkluzioneve”, tha William Hague.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, të premten iu bashkua bisedimeve, në përpjekje për arritjen e marrëveshjes. Po këtë ditë, në bisedime janë përfshirë edhe Hague e Fabius dhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit në Gjenevë tha se bisedimet “vazhduan të bëjnë progres”, por ka “ende më tepër punë për t’u bërë”.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, tha se takimi 5 orësh me sekretarin Kerry dhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ishte produktiv, por megjithatë, mbetet shumë punë për t’u bërë, për arritjen e marrëveshjes.

Raportohet se gjashtë fuqitë botërore janë të gatshme për zbutjen e disa sanksioneve ndaj Iranit, nëse ky vend ndërmerr hapa të qartë për ta ndalur avancimin e programit bërthamor.

Sekretari Kerry tha se dallimet duhet të shqyrtohen.

“Dëshiroj të theksoj se ende janë disa çështje shumë të rëndësishme në tryezë, që nuk janë zgjidhur. Është me rëndësi që ato në mënyrë përkatëse dhe hollësisht në shqyrtohen. Dëshiroj të theksoj se në këtë pikë dhe në këtë kohë nuk ka marrëveshje, por P5 po punon shumë”, tha Kerry.

Njëra nga çështjet, për të cilat ka dallime, është përmendur nga anëtari i ekipit negociator të Iranit, Majid Takt-Ravanchi, i cili ka thënë se sanksionet e naftës dhe të bankave kundër Iranit duhet të zbuten gjatë fazës së parë të çfarëdo marrëveshjeje.

Zyrtarët e Izraelit kanë shprehur shqetësime lidhur me raportet për marrëveshjen në tryezën e bisedimeve në Gjenevë.

Të premten, presidenti amerikan, Barack Obama, ka biseduar me telefon me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’i zbutur këto shqetësime.

Më herët Netanyahu kishte tërhequr vërejtjen se Irani do ta kishte “marrëveshjen e shekullit” nëse ia del që të sigurojw lehtësim të përkohshëm dhe të kufizuar të sanksioneve, në këmbim për pezullimin e pjesshëm të programit të vet bërthamor dhe për premtimin për të mos e zgjeruar atë.

Irani dhe fuqitë botërore tash e një vit e gjysmë po diskutojnë për marrëveshjen për pezullimin e pjesshëm të programit atomik të Iranit.

Analistët thonë se arritja e marrëveshjes fillestare do të ishte vetëm një hap në procesin e gjatë, që synon arritjen e marrëveshjes së përhershme.

Bisedimet në Gjenevë janë përpjekja e dytë për arritjen e marrëveshjes, prej se në muajin gusht president i Iranit u zgjodh Hassan Rohani. Prej atëherë ai ka bërë përpjekje për tërheqjen e sanksioneve dhe për përmirësimin e raporteve me perëndimin. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG