Ndërlidhjet

Rashiti: Incidentet i shkuan për shtati Listës Serbe


Naim Rashiti

Naim Rashiti

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, kanë treguar se vendi ka mundësi të bëjë një administrim të mirë të procesit të zgjedhjeve dhe të ketë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rashiti zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në përgjithësi janë vlerësuar si të suksesshme. Por, sipas jush, çfarë në fakt treguan dhe nxorën në pah këto zgjedhje?

NAIM RASHITI
Zgjedhjet lokale treguan se megjithatë Kosova ka mundësi të bëjë një administrim më të mirë të zgjedhjeve të tërë procesit të zgjedhjeve, që komisionarët dhe ata që udhëheqin zgjedhjet nëpër komuna dhe vendvotime, të jenë më mirë të trajnuar dhe që të ketë një vullnet më të mirë politik për të mbajtur zgjedhje të lira.

E veçanta është që gjatë tërë fushatës nuk ka pasur incidente serioze mes partive politike, tensionet kanë qenë të ulëta. Ajo që më ka shqetësuar më së shumti është që çdo formë oferte që kanë prezantuar liderët dhe kandidatët, nuk ka qenë aspak e bindshme për popullatën, votuesi e ka humbur tërësisht besimin në ofertën politike të çdo kujt dhe në njëfarë forme partitë politike është dashur t’u luten votuesve t’ua japin votën.

Megjithatë, administrimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional i bëri këto zgjedhje më të mira, edhe pse testi i vërtetë mund të shihet vetëm në zgjedhjet e përgjithshme, sepse presioni politik dhe i kandidatëve ishte shumë i ulët, apo nuk kishte fare në këto zgjedhje, për shkak të garës lokale. Të shohim se si do të zhvillohen zgjedhjet kur në garë do të jenë njerëzit për deputetë, për të marrë pjesë në parlamentin e Kosovës, dhe pikërisht në 2010-n kjo ka ndodhur.

E veçantë tjetër e procesit të zgjedhjeve është nxjerrja e kandidatëve politikë nga kontesti i partisë, nga djepi i partisë dhe ky është një zhvillim shumë i ri në Kosovë , i cili me gjasë do të ketë reperkusione politike në zgjedhjet e përgjithshme.

Dihet numri i madh i votave për Shpend Ahmetin në Prishtinë dhe shumica e këtyre votave janë për Shpendin, e nuk janë për Lëvizjen Vetëvendosje; votat për Mimoza Kusarin në Gjakovë janë kryesisht vota për Mimozën, e jo për Aleancën Kosova e Re; vota për Gazmend Muhaxherin në Pejë, LDK-ja edhe pse ka një zgjim, megjithatë Gazmendi ka bërë që LDK-ja të jetë në avantazh; vota në Gjilan; vota për Salih Salihun në Viti për Vetëvendosjen është prapë ai kandidati që e ka nxjerrë partinë më lart sesa struktura e partisë.

Kjo është një e re shumë shpresëdhënëse dhe duhet të presim se si do të zhvillohet ky momentum për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se këto zgjedhje e kanë ndryshuar hartën politike në vend?

NAIM RASHITI
Kanë shkundur, nëse nuk e kanë ndryshuar në këtë fazë, i kanë dhënë një kahe serioze disa partive, veçanërisht Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që në rastin më të keq nëse i humb dy komunat kryesore, realisht do të detyrohet të bëjë zgjedhje tjera. Elektorati do t’i ikë, pavarësisht faktit se aktualisht është partia e tretë.

Po ashtu, AKR-ja është në gjendje jo të mirë po ajo që ka treguar edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka mundur të avancojë, ka një kthim prapa, një dobësim në shumicën e komunave, në përjashtim të disave, si Prishtina, Vitia etj.

Ditën e zgjedhjeve, KQZ-ja ka shtrirë autoritetin në veri

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, a mund të thuhet se pika e zezë e këtyre zgjedhjeve mbetet veriu i vendit?

NAIM RASHITI
Jo, nuk e besoj që është pika e zezë. Ditën e zgjedhjeve në veri KQZ-ja e ka shtrirë autoritetin atje. OSBE-ja ka bërë të mundur që KQZ-ja të depërtojë në veri, atje zgjedhjet janë organizuar me ligjin e Kosovës.

Gjithë materiali zgjedhor ka qenë i njëjtë më komunat tjera dhe unë e kam parë mbi tavolinë. Gjithë ata komisionarë lokalë serbë kanë kryer detyrat po të njëjtat dhe me përkushtim të njëjtë me kolegët e tyre në jug, dhe kam parë diçka tërësisht të re sa i përket organizimit të zgjedhjeve.

Ajo që politikisht nuk ka ndodhur dhe që mund të komentohet, është fakti që zgjedhjet në veri janë mbajtur pa përgatitje të mjaftueshme politike sa i përket avancimit të dialogut, shpjegimit, informimit të qytetarëve me fatin e dialogut në këtë rast në veçanti ka dështuar Qeveria e Serbisë, e cila shumë më herët është dashur t’ua shpjegojë njerëzve se çfarë po ndodh me procesin e dialogut dhe ku do të jetojnë ata njerëz, si dhe me çfarë ligji do të jetojnë.

Serbia është angazhuar shumë vonë me thirrjet për pjesëmarrje në zgjedhje dhe kur është angazhuar, këtë e ka bërë tërësisht jodemokratike për të mbështetur një linjë politike shumë agresivisht, përmes kërcënimit dhe shantazhit jo vetëm përmes thirrjeve politike. Po, megjithatë Prishtina, procesi i dialogut dhe faktori ndërkombëtar kanë dështuar që ta informojnë më mirë qytetarin, votuesin dhe t’i involvojnë përfaqësuesit e tyre në procesin politik dhe në procesin e transformimit.

Pra, defektet janë parazgjedhore, nuk janë në ditën e zgjedhjeve dhe kam përshtypjen se me këtë ritëm edhe po vazhdohet, se askush s’po ndalet t’u shpjegojë më qartë se si do të jetojnë serbët e veriut dhe çka do të ndodhë pas pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.

Prandaj, pavarësisht kësaj, incidentet kanë qenë minimale, mund të jenë edhe më të mëdha. Po të kishte pasur një përkushtim pak më të madh, këto zgjedhje do të kishin qenë po ashtu të suksesshme.

Bojkotimi i votimeve nga serbët, do të nxirrte fitues shqiptarët

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni ju akuzat dhe kundër-akuzat, të cilat Qeveria serbe dhe tabori i bojkotuesve të zgjedhjeve ia bëjnë njëri-tjetrit lidhur me sulmet në qendrat e votimit në Veri të Mitrovicës? Kush përfiton nga situata e krijuar?

NAIM RASHITI
Shumica e popullatës në veri nuk i do zgjedhjet e Kosovës dhe nuk e ka dëshiruar këtë proces. Megjithatë, një pjesë e popullatës e ka përqafuar opinionin dhe vendimin, vizionin apo qëndrimin e Qeverisë në Beograd, por pjesa tjetër e ka humbur besimin dhe blloku bojkotues që nganjëherë është shprehur edhe përmes formës së dhunshme dhe mund të shprehet edhe në zgjedhjet e ardhshme, realisht bojkoton dhe sillet në mënyrë agresive jo vetëm ndaj Qeverisë së Kosovës, por edhe ndaj vetë Qeverisë Serbisë.

Ditën e zgjedhjeve në veri fushata ka qenë e udhëhequr ndaj votuesit, për të penguar votuesin serb, ndaj pjesëmarrësve në garë për zgjedhje, kryesisht ndaj Pantiqit në veri dhe për t’i dërguar mesazhe institucioneve serbe se nuk e duan këtë proces. Në qytetin e Mitrovicës së veriut, ky bllok bojkotues ka arritur të organizojë bojkote dhe t’i pengojë votimet.

Ka dalje minimale të serbëve në atë pjesë dhe si i tillë rezultati ishte shumë i dëmshëm për pjesëmarrësit në garë, në veçanti për Listën Serbe, sepse në pjesët ku shqiptarët votonin, ata kishin dalë në numër më të madh, serbët kishin dështuar dhe jo vetëm që ky rezultat do të nxirrte një parti apo kandidat shqiptar fitues, po do të ishte shumë turpëruese aftësia e bllokut opozitar për të organizuar bojkotin.

Ishte turpërues rezultati dhe bojkoti kaq i madh për Pantiqin dhe Listën Serbe. Prandaj, ky rezultat nuk i shkoi për shtati dhe agjenda e bllokut bojkotues në një moment të caktuar dhe pjesëmarrësve në përkrahës të listës, përkoi se këto zgjedhje nuk duhet të njihen. Aty, me gjasë, vizioni u bashkua dhe pavarësisht se kush teknikisht e bëri atë sulmin në vendvotime, realisht u shkoi për shtati të gjithëve, veçanërisht kandidatëve të Listës Serbe.

Kjo është kuptuar qartë dhe këtë e dinë shumica e serbëve. Në fakt, mendohet se blloku bojkotues do të dëshironte, që këtë garë, këto zgjedhje që me ngulm i kundërshtonin, t’i fitonte një shqiptar që më shumë ta rrisnin presionin në ata që morën pjesë në zgjedhje.

Po si duket Qeveria e Serbisë e kuptoi situatën dhe dëshiron që procesi të përsëritet në Mitrovicën veriore, edhe pse pjesë të procesit janë diskredituar tërësisht në veri nga mbyllja e hershme e vendvotimeve, nga mungesa e grumbullimit të materialit zgjedhor në kohë dhe sipas ligjit, megjithatë e veçanta e gjithë kësaj është se të gjithë pranuan rezultatin ku ishin të sigurt se Lista fiton. Dhe, ajo pothuajse fiton në tri komunat tjera dhe me gjithë faktin se kutitë ishin lënë prapa, ato nuk u prekën, nuk ishin dëmtuar, dikush u përkujdes t’i ruajë, kjo tregon mjaft për situatën e krijuar atë ditë.

Besoj që tani Qeveria e Serbisë do të bëjë më shumë që t’i bindë qytetarët të dalin në zgjedhje, megjithatë situata nuk është shumë premtuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Përsëritja e zgjedhjeve në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, është përcaktuar për 17 nëntor. Kohë e mjaftueshme është kjo për përsëritjen e procesit dhe a mendoni se mund të sigurohen parakushtet për proces të suksesshëm?

NAIM RASHITI
Duke pasur parasysh ditën e zgjedhjeve në Mitrovicën veriore, aspak nuk është kohë e mjaftueshme. Në vend të kërcënimeve është dashur të bëhet më shumë punë për t’i informuar qytetarët për gjërat pozitive që i presin pas zgjedhjeve.

Gjithsesi, në këto rrethana është një vendim i ngutshëm, por shkaku i mungesës së përgatitjes së situatës dhe çdo veprim politik dhe demokratik kërkon edhe një mbështetje force dhe sigurie, me gjithë përgatitjet e bëra për organizime të mira, është parë që kanë dështuar të gjithë. Ka pasur hedhje bombash, gjuajtje me armë dhe sulm nga disa persona të vendvotimeve. Gjëra të tilla mund të ndodhin në kontekstin e situatës atje, mund të ndodhin protesta masive të popullatës në veri edhe nëse do të bëheshin përgatitje të mjaftueshme të sigurisë, por në një situatë të tensionuar ku do të ketë shumë trupa të sigurisë në veri, qytetarët nuk do të dilnin të votonin.

Unë nuk e di qartë, por edhe të dielën, më 3 nëntor, ka pasur shumë grupe nëpër qytet që kanë bërë presion mbi qytetarët. Një numër i ka rezistuar atij presioni me ngulm që të shkojnë të votojnë ndoshta herën e dytë do ta bëjnë të njëjtën e ndoshta dhe më shumë, por ata janë në frikë. Ata frikohen o nga kërcënimet e organizatorëve të bllokut të njerëzve që kundërshtojnë zgjedhjet, o nga konfliktet mes njerëzve dhe organeve të sigurisë apo nga përdorimi i forcës nga institucionet.

Dhe, shumica e popullatës është në panik për të dalë dhe votuar. Se si të krijohen kushtet optimale për një votim të lirë nuk e di. Politikisht dhe në aspektin organizativ, është më lehtë tani kur janë tri qendra votimi sesa tjera. Megjithatë, duhen kushte të mjaftueshme për të siguruar dalje masive të qytetarëve për të krijuar legjitimitet. Me një dalje të tillë çfarë kishim me më pak se 1 mijë vota në 3 qendra, nuk mund të krijosh legjitimitet demokratik. Unë mendoj që pavarësisht kësaj, ky proces po kryhet me një marrëveshje të të gjitha palëve të involvuara.

Besoj që në një fazë tjetër jo shumë të vonshme, mbase vitin e ardhshëm në zgjedhjet e përgjithshme të përsëriten në të gjitha komunat në veri, në mënyrë që të rritet legjitimiteti demokratik, që Serbia të heqë mburojën dhe përkrahjen enorme për Listën Serbe, që krijohet një ambient më i lirë dhe më demokratik për pjesëmarrje dhe për një votë të lirë. Sa më shumë pjesëmarrje që kemi dhe garë sa më fer që kemi, ato institucione do të dalin më të fuqishme

Prandaj, nëse është dashur që ky proces të ndodhë tani, me shumë deficit s ai përket përgatitjeve parazgjedhore, atëherë në rregull ta pranojmë rezultatin dhe t’i përsërisim ato në një fazë pak më të vonshme në mënyrë që legjitimiteti i tyre të rritet.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, zoti Rashiti, autoritetet serbe kanë ripërsëritur thirrjen për daljen e qytetarëve serbë në zgjedhje, në qendrat ku votimet do të përsëriten, me arsyetimin se nëse nuk dalin, kryetar do të bëhet një shqiptar. Si mund të cilësohen deklaratat e tilla dhe sa i shërbejnë tejkalimit të paragjykimeve me bazë nacionaliste?

NAIM RASHITI
Në terma konkretë të përfaqësimit, komuna e Mitrovicës (së veriut) është me shumicë, të madhe, serbe dhe legjitimiteti demokratik kërkon një pjesëmarrje masive të serbëve, të kënaqshme, në mënyrë që realisht, pozitat kryesore u takojnë aty ku janë shumicë, ashtu siç e kanë pjesën tjetër të Kosovës shqiptarët.

Thirrja, si e tillë, nuk tingëllon këndshëm. Tingëllon si një kërcënim me elemente raciste. Por, shumëkush mundohet ta përshkruajë se kjo është edhe forma e fundit që Serbia mund ta përdorë për t’i inkurajuar njerëzit të dalin në zgjedhje. Është e vërtetë që Serbia, Qeveria, u ka bërë presion punonjësve të saj, në veçanti atyre sektorial, të arsimit, shëndetësisë, që të dalin në zgjedhje. Në veri, në Mitrovicën veriore, kjo nuk ka funksionuar më 3 nëntor. Në fakt, dalja masive, dalja 20 deri 22 për qind në komunat tjera, është kryesisht votë e këtyre punonjësve të institucioneve.

Në veri, atë ditë, nuk ka funksionuar. Është përdorur presion i madh deri në këtë fazë dhe kjo tregon se megjithatë, ka një kundërshti të madhe të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje.

A ka Serbia forma tjera? Nuk e di, por forma më e mirë do të ishte që t’ju shpjegohet njerëzve se pse duhet të dalin dhe të marrin pjesë në zgjedhje, të krijojnë institucionet lokale të tyre. Kam përshtypje se (deklarata e zyrtarëve të Beogradit) përdoret për dy qëllime. E para, u janë shtjerrë elementet publike, instrumente publike, për të bërë presion te qytetarët për të dalë në zgjedhje. Dhe e dyta, si çdo kund në Ballkan, ende funksionon si tezë se “veprimi i juaj është fitore ndaj etnitetit tjetër”.

Vazhdimisht përdoret në veprimet politike dhe gjuhën politike të Beogradit ky slogan kundër shqiptarëve dhe atëherë, po pretendohet se ndoshta kjo mund të funksionojë, t’i inkurajojë njerëzit që të dalin në zgjedhje. Mbetet të shihet më 17 nëntor, por thënë troç, kjo formë e veprimit institucional nuk është aspak e shëndoshë dhe aspak demokratike. Do të vuajnë institucionet e dala si rrjedhë e këtij procesi të cunguar. Do të vuajë nga legjitimiteti i mangët demokratik.

Blloku kundërshtues, bojkotues, do të jetë i fuqishëm. Mund të ketë edhe incidente serioze gjatë formimit të institucioneve atje dhe kjo do të jetë pengesë për të gjithë, në veçanti për Prishtinën, për të krijuar një linjë bashkëpunimi me institucionet e dala, si dhe për faktorin ndërkombëtar.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG