Ndërlidhjet

logo-print
Në tregun kosovar mund të gjesh lloje të ndryshme të prodhime vendore, duke filluar nga produktet ushqimore, ato të tekstilit e deri te prodhimet metalike. Në mesin tyre ka edhe mallra vendi shumë të mira, të certifikuara sipas standardeve evropiane.

Por, kur mendohet tek cilësia e tyre, konsumatorët kanë një dilemë a duhet t’u besojnë prodhimeve “Made in Kosova “ apo atyre të huajave, apo, thjesht, po i paragjykojmë prodhimet vendore, shprehen përfaqësues të prodhuesve dhe zyrtarë qeveritarë.

Gjeneratat e vjetra, besojnë se prodhimet vendore janë më cilësore, por brezat e rinj, paragjykojnë apo nuk dëshirojnë të besojnë në cilësinë e mallrave kosovare.

Profesori Shefqet Kadishani, 62-vjeçar, kur pyetet për cilësinë e mallrave ushqimore, përgjigjet se ushqimi në atë kohë ka qenë origjinal, ndërkaq këto mallra, siç i quan ai, janë pa shije dhe pa kalori.

“Kur kam qenë më i ri dhe deri para luftës, ushqimi ka qenë origjinal, vendor, kalorik. Tash nuk ka shije asnjë produkt. Në atë kohë një kilometër larg ke nuhatur erën e furrës së bukës. Unë i përdori vetëm se nuk kam çka të bëj. Shpesh marr miell të misrit, por prapë nuk është si dikur”, shprehet Kadishani.

Por, Festina, studente në Departamentin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, preferon më tepër produktet e huaja.

“Lëngje dhe çokollata blej më tepër nga produktet e huaja. Ndoshta jam mësuar me atë shije, apo prodhuesit vendor nuk prodhojnë kësi lloji mallrash. Thjesht, jemi mësuar me shijen. Në familje, babai zakonisht blen prodhime vendore, ndërkaq mami i përzien”, tregon duke qeshur Festina.

Mallrat vendore sipas standardeve evropiane

Në anën tjetër, Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se prodhimet vendore i plotësojnë gati të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian sa i përket e cilësisë së tyre.

Sipas tij, mallrat që gjenden në treg, janë të sigurta për konsum nga konsumatorët.

“Për produktet vendore, mund të ketë paragjykime dhe lloj-lloj vlerësimesh, mirëpo flas prej asaj si autoritete përgjegjës i hasim në terren dhe i shohim sa i përket cilësisë dhe sigurisë. Kushtet dhe kriteret, të cilat prodhuesit vendor dhe mbi të gjitha përpunuesit e produkteve ushqimore, janë duke i përmirësuar dhe kanë arritur t’i përmirësojnë me standarde të larta dhe të përafërta me ato të vendeve të Bashkimit Evropian”, thotë Gjinovci.

Në Kosovë, industria e prodhimit të qumështit konsiderohet me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e tregut kosovar. Në vitrinat e dyqaneve vërehet llojllojshmëri e këtyre prodhimeve, por jo shpesh zgjidhen nga konsumatori, pasi deri në 60 për qind të produkteve të qumështit importohen nga vendet e rajonit dhe të Evropës.

Prodhuesit kërkojnë vetëdijesim më të madh

Në Prishtinë tashmë është hapur një qendër tregtare e grave, në të cilën shiten vetëm prodhime vendore.

Udhëheqësja e kësaj qendre, Hamide Latifi, njëherësh udhëheqëse e Organizatës Joqeveritare “Gratë në Biznes”, thekson se ka një vetëdijesim të qytetarëve, por megjithatë nevojitet kohë që të largohen paragjykimet e konsumatorëve për prodhimet vendore, që sipas saj, janë më cilësore dhe të shëndetshme.

“Prapë se prapë ende ka nevojë për një ngritje më të madhe të vetëdijes të heqjes së paragjykimeve dhe frikës, për shkak se produktet vendore, të cilat prodhohen në Kosovë, janë larg më të shëndetshme dhe kualitative se sa ato që po importohen. Po e marr shembull mishin e pulës, prodhimet e konservuara shtëpiake në Kosovë, krahas atyre industriale që vijnë nga importi”, pohon Latifi.

Sot në Kosovë kemi edhe disa marka të mira të veshmbathjes. Por, blerësit kosovarë janë më të prirë të blejnë ndonjë markë të huaj, pavarësisht cilësisë se saj.

Në Suharekë, veprimtarinë e saj e zhvillon Fabrika për Prodhimin e Këpucëve, “Solid”. Përveç mbulimit të një pjesë të madhe të tregut kosovar, prodhimet e “Solid”-it, tashmë kanë depërtuar në tregun e Bashkimit Evropian, konkretisht në një kompani prestigjioze në Itali “GEOX”.

Pronari i kompanisë, Shefqet Kuçi, për Radion e Evropa e Lirë, fajëson autoritetet qeveritare për mosvetëdijesimin e popullatës për cilësinë e produkteve vendore.

Sipas Kuçit, mallrat kosovare kanë janë kualitative dhe të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian.

“Askush nuk bën promovim të prodhimeve vendore. Në Kosovë është politikë e gabueshme, sepse Qeveria nuk bën marketing të mirë për prodhimet vendore”, thekson Kuçi.

Ndërkaq, profesori Shefqet Kadishani, konsideron se me konsumimin e produkteve të huaja, po nënçmojmë prodhimet tona.

“Pse të marrim prodhime nga Serbia apo vende tjera, kur i kemi tonat?! Ne vetë po i nënçmojmë prodhimet vendore”, tërheq vërejtjen Kadishani.

Pavarësisht, paragjykimeve të konsumatorëve dhe problemeve, me të cilat përballen prodhuesit vendor, disa nga mallrat “Made in Kosova” tashmë kanë depërtuar në tregun evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG