Ndërlidhjet

FIFA: Për sjellje raciste gjobiten Kroacia dhe Greqia


Federata botërore e futbollit, FIFA, e ka gjobitur Kroacinë dhe Greqinë, për sjelljen raciste të simpatizuesve të tyre, në takimet kualifikuese për Kampionatit Botëror, që janë zhvilluar muajin e kaluar.

FIFA e ka gjobitur Federatën e Futbollit të Kroacisë me 35 mijë franka zvicerane (afro 38 mijë dollarë amerikanë) për incidentet gjatë takimit me Belgjikën në Zagreb, më 11 tetor të këtij viti, në momentet kur vendësit ishin në disavantazh me rezultat 1:2.

Grupi për monitorimin e simpatizuesve, Futbolli Kundër Racizmit në Evropë, ka raportuar në FIFA se “simpatizuesit e Kroacisë kanë bërë përshëndetje të së djathtës ekstreme, që ishin përdorë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga lëvizja fashiste e ustashëve”.

FIFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Greqisë me 30 mijë franka zvicerane (32 500 dollarë amerikanë), pas raporteve për parulla të së djathtës ekstreme të paraqitura në takimin Greqia – Sllovakia 1:0, më 11 tetor në Athinë.

Në muajin shtator, Ukraina ishte shpallur fajtore nga FIFA për sjellje raciste të sipmatizuesve të vet në takimin kualifikues kundër San Marinos.
XS
SM
MD
LG