Ndërlidhjet


Kafeteritë mbeten pothuajse i vetmi vend ku të rinjtë ferizajas e kalojnë kohën e lirë.

Papunësia e madhe e të rinjve mbetet brenga kryesore në këtë qytet, thonë pothuajse të gjithë të anketuarit për rubrikën tonë të përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, për qytetin ku ata jetojnë.

Kastriot Hyseni, 25-vjeçar thotë se Ferizajt i mungon gjithçka. Si qytet, shton Hyseni, nuk është aspak vend i mundësive për të rinjtë.

Ferizajt i mungojnë shumë gjëra. Është Qendra rinore që nuk funksionin, ka të meta të shumta. Edhe Qendra e kulturës ka probleme të mëdha infrastrukturore, sidomos në galerinë e arteve aty ku është edhe muzeu, sepse aty rrjedh uji gjithë kohën. Në përgjithësi, Ferizajt sa i përket të rinjve, i mungon gjithçka, si mbrëmjet muzikore, diskotekave e shumë gjëra tjera”, thotë Hyseni.

Ndërkaq, Alaudin Zeqiri, 30-vjeçar, infermier me profesion, thotë se hapësirat e gjelbra i mungojnë më së shumti Ferizajt, ndërkaq për të rinjtë pohon se kohën e lirë, përpos kafeterive, nuk kanë se ku ta kalojnë.

“Qytetit tonë i mungojnë shumë gjëra. I mungon parku, edhe pse është në ndërtim e sipër. Hapësirat e gjelbëruara gjithkund mungojnë. Të rinjtë kanë shumë pak vende ku mund ta kalojnë kohën. Kafeteritë janë ato vende ku ata e kalojnë kohën”, shprehet Alaudini.

Derisa Arta Kastrati, studente në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, mendon se qytetit të Ferizajt i mungon një universitet. Ndërkaq, për rininë e këtij qyteti, thotë se ata nuk kanë vende adekuate ku do të mund ta kalonin kohën e tyre të lirë.

“Ferizajt i mungon një universitet publik, e që ka pasur premtime të shumta nga ana e qeveritarëve të bëhet një i tillë. Është premtuar që më së largu vitin e ardhshëm, Ferizaj do ta ketë një universitet. Gjithashtu i mungon spitali – janë dhënë premtime që do të ndërtohet, e pasi që është rajonal, do të përmbushte nevojat e gjithë regjionit të qytetarëve të Ferizajt. Edhe pse është një bibliotekë nuk shfrytëzohet shumë, të rinjtë më së shumti kohën e kalojnë në kafe-bare”, tregon Arta.

Preokupimin më të madh për Ferizajn, Xhevdeti thotë se e ka papunësinë e të rinjve. Ai thotë se udhëheqësit tonë aspak nuk po mendojnë që të bëjnë zgjidhje në këtë drejtim:

“I mungon infrastruktura edhe shumë gjëra tjera. Të rinjtë e kalojnë kohën në kafeteri. Me 50 cent e pinë një kafe, rrinë 4 orë, sepse ata nuk kanë angazhim, pushtetarët nuk mendojnë për rininë, vetëm për xhepat e vet”.

Ngjashëm mendon edhe Remzi Dullori, rreth të tridhjetave, është ekonomist me profesion, por i papunë. Ai thotë se të rinjtë përballen me papunësi të madhe, duke shtuar se tash e tre vjet kërkon një punë të qëndrueshme, por kot.

“Kryesisht të rinjtë janë të papunë. Më së shumti nëpër kafeteri e kalojnë kohën. Unë nuk punoj. Kërkoj punë, qe sa kohë, por asnjëherë nuk kam pasur ndonjë ofertë. Mendoj se duhet të hapen fabrika dhe të punësohen njerëz. Te ne ka pompa të benzinës dhe bastore, biznesi më i shpeshtë në Ferizaj”, shprehet Remziu.

Për Labinot Jakën, Ferizaj pothuajse fare nuk ofron mundësi për të rinjtë, madje as për ta kaluar kohën e lirë.

“Vetëm nëpër kafeteri rrinë rina. Duhet të bëhet më shumë për të rinjtë. Është galeria këtu, por nuk funksionon, asnjë vend nuk ka për të rinj. Papunësia është e madhe”, thekson Labinoti.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG