Ndërlidhjet

Mijëra të vdekur nga tajfuni në Filipine


Të paktën 10,000 njerëz kanë vdekur në krahinën qendrore të Leyte në Filipine kur tajfuni "Haiyan", një nga stuhitë më të fuqishme në histori, e goditi këtë pjesë të vendit dhe shkatërroi qytetet bregdetare.

Zyrtari i lartë policor, Elmer Soria, ka thënë se ka vlerësime që flasin se rreth 10 mijë njerëz kanë humbur jetën në Leyte, kryesisht nga rritja e nivelit të ujit dhe ndërtesat e shkatërruara nga tajfuni.

Megjithatë, të dhënat ende nuk janë konfirmuar nga Qeveria e Filipineve.

Zyrtarët thanë se në ishullin e afërt, Samar, është konfirmuar vdekja e 300 njerëzve. Në këtë ishull, afro 2 mijë të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Tajfuni, njëra nga stuhitë më të fuqishme që është regjistruar ndonjëherë, ka shkatërruar çdo gjë derisa ka kaluar në gjashtë ishuj qendror të Filipineve, ditën e premte, me ç’rast era kishte arritur shpjetësinë afro 275 kilometra në orë, ndërsa valët e ujit ishin të larta 5-6 metra.

Fuqia e tajfunit ka pësuar rënie në afërsi të Vietnamit, por qeveria po mban të evakuuar rreth 600.000 njerëz.

Ndërkohë, në Kinë është paralajmëruar një rrezik i shkallës më të lartë, sipas Shërbimit Meteorologjik të Kinës.

Shërbimi Meteorologjik kinez ngriti “flamurin e kuq" – niveli i katërt, që është më i larti gjendjes së gatishmërisë, pasi tajfuni iu afrua ishulli të vogël jugor Hainan, në Detin e Kinës Jugore dhe parashikohet që stuhia të prekë edhe provincën e Guangxi.
XS
SM
MD
LG