Ndërlidhjet

Irani dhe fuqitë botërore nuk arritën marrëveshje

  • RFE /RL

Baronesha Catherine Ashton dhe ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

Baronesha Catherine Ashton dhe ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

Tri ditë të bisedimeve ndërkombëtare në Gjenevë të Zvicrës, për programin e kontestuar atomik iranian, përfunduan pa marrëveshje, por bisedime të mëtejshme ndërmjet palëve priten të mbahen më 20 nëntor.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha të dielën herët në mëngjes se nuk është arritur marrëveshja, pasi disa çështje ende duhet të zgjidhen.

“Takimi i Gjenevës na ka mundësuar që të lëvizim përpara, por ne nuk ishin në gjendje ta arrijmë marrëveshjen, meqë disa çështje ende duhet të diskutohen”, tha Laurent Fabius.

Nuk janë dhënë detaje lidhur me çështjet e mbetura të pazgjidhura.

Më herët ministri Fabius kishte sugjeruar se Franca dëshironte garantime për kontrolle më të ashpra të aktiviteteve të Iranit, përfshirë pasurimin e uraniumit dhe plutoniumin.

Disa raporte sugjeronin për tensione të mundshme në mesin e vendeve perëndimore lidhur me linjën e fortë të Francës, që u paraqit në Gjenevë.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, këto bisedime i ka përshkruar si “shumë të mira” dhe si diçka, mbi të cilat negociatorët mund të mbështeten.

“Mendoj se ne jemi në gjatësi të njwjta valësh dhe kjo është me rëndësi. Kjo, po ashtu, na jep nxitje për të ecur përpara, kur të takohemi herën e ardhshme. Aktualisht, mendoj se ne i kishim tri ditë shumë të mira, shumë produktive dhe kjo është diçka, mbi të cilën mund të mbështetemi”, tha Javad Zarif.

Nga ana tjetër, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, duke folur tw dielwn në Parlament në Teheran, tha se vendi i tij nuk do të tërhiqet nga të drejtat atomike, përfshirë pasurimin e uraniumit.

Ai theksoi se “ekzistojnë linjat e kuqe, që nuk duhet të kalohen”.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, që ishte i pranishëm në bisedimet në Gjenevë, tha se në bisedime është shënuar progres i rëndësishëm dhe se marrëveshja mund të arrihet së shpejti.

Kerry theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta parandaluar Iranin nga prodhimi i armatimit bërthamor dhe ka tërhequr vërejtjen se dritarja për diplomaci nuk do të mbetet e hapur në mënyrë të pakufizuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani për më tepër se tri dekada nuk kanë marrëdhënie formale diplomatike.

Të dy palët këtë vit janë takuar në muajin tetor, pas zgjedhjes së presidentit iranian, Hassan Rohani, që shihet si politikan i moderuar në sistemin islamik të Iranit.

Analistët kanë thënë se Teherani ndoshta do të ketë gatishmëri për të bërë disa koncesione për programin e tij atomik, në këmbim për zbutje të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare, që po zgjasin tash e disa vjet.

Sanksionet kanë çuar në reduktim të eksportit iranian të naftës, që është i rëndësisë jetësore për ekonominë e Iranit, dhe i kanë kufizuar aftësitë e Iranit për të udhëhequr transaksione bankare ndërkombëtare.

Irani thotë se programi i tij atomik është vetëm për prodhim të energjisë dhe për të kryer trajtime mjekësore dhe kërkime.

Republika Islamike e Iranit i hedh poshtë akuzat e shteteve perëndimore se po synon prodhimin e armatimit atomik.

Perspektiva e arritjes së marrëveshjes së mundshme ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore ka shkaktuar çarje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, që është aleati më i madh amerikan në Lindjen e Mesme.

Derisa zhvilloheshin bisedimet në Gjenevë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli do ta “refuzoj ashpër” çfarëdo marrëveshje që e redukton presionin ndaj Iranit.

Në bisedimet e Gjenevës kanë marrë pjesë Irani dhe pesë vendet e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, plus Gjermania. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG