Ndërlidhjet

Thirrje për ndihmë Filipineve


Pamje pas tajfunit Haiyan, Filipine

Pamje pas tajfunit Haiyan, Filipine

Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për ndihmë urgjente për Filipinet, ku dyshohet të kenë vdekur më shumë se 10 mijë njerëz, si pasojë e tajfunit Haiyan.

Kombet e Bashkuara thonë se rreth 9.5 milionë njerëz janë prekur nga katastrofa, e cila sipas OKB-së ka shkaktuar “zhvendosje të madhe të njerëzve dhe dëme shumë të mëdha”.

Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Australia dhe Kombet e Bashkuara janë ndër të parët që kanë lansuar projekte të ndihmave për Filipinet, përfshirë ushqime, batanije, dhe tenda për dhjetra mijëra njerëz të lënë pa strehë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka dërguar rreth 90 marinsa, si dhe aeroplanë, për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Tajfuni, një ndër më të fuqishmit të shënuar ndonjëherë në Tokë, u shfaq të premten, duke shkaktuar dallgë të mëdha të detit, të cilat për pasojë patën shkatërrime në masë dhe humbje të mëdha të jetëve.
XS
SM
MD
LG