Ndërlidhjet

Kuvendi zhbllokohet përkohësisht, shtyn çështjen e PTK-së


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka tejkaluar përkohësisht bllokadën që po zgjat për më tepër se një muaj.

Me propozim të kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, dy partitë më të mëdha, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëra në pozitë e tjera në opozitë, janë marrë vesh që seanca e ndërprerë për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës të shtyhet dhe gjatë kësaj jave të zhvillohet një seancë e re ku në rend dite do të jenë vetëm disa ligje që kërkojnë miratimin e legjislativit.

Një veprim i tillë, ishte një blerje e kohës derisa PDK dhe LDK të gjejnë eventualisht zgjidhje për çështjen kontestuese të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Kryetari Jakup Krasniqi ka parashikuar se zgjidhja e gjetur të hënën, është e përkohshme, pasi që PTK sërish do të duhet të kthehet në rendin e ditës.

“Është një zgjidhje e përkohshme që u jep mundësi pikave në rendin e ditës të kalojnë. Të hënën tjetër ne do të bisedojmë sërish. Unë kërkova nga kryetarët e grupeve parlamentare që të bisedojnë përbrenda grupeve të tyre dhe ta zhbllokojnë punën e Kuvendit”, tha Krasniqi.

Zgjidhjen e për zhbllokim të përkohshëm të punës së Kuvendit e ka mirëpritur PDK-ja, si partia më e madhe në qeveri.

Deputeti i këtij subjekti politik, Ilmi Reçica tha se pas fushatës dhe balotazhit për zgjedhjet lokale, Kuvendi duhet të gjejë zgjidhje për vazhdimin e punës, pasi që në rend dite do të vijnë edhe shumë pika tjera që janë me rëndësi jetike për funksionimin e shtetit.

Në këto pika, ai ka veçuar sidomos miratimin e buxhetit për vitin 2014.

“Ju e dini që tash së shpejti do të vijë edhe projektligji për buxhetin i cili pas kushtetutës është ligji më i rëndësishëm. Nëse projektligji për buxhetin nuk vjen sa më shpejt në rend të ditës, atëherë do të bllokohet edhe shteti dhe jo vetëm parlamenti”, tha Reçica.

Puna e Kuvendit, ishte bllokuar nga momentin kur koalicioni qeverisës kishte humbur shumicën e deputetëve në Kuvend pas fraksioneve që kanë ndodhur tek grupi parlamentar i PDK-së.

Kjo është vërtetuar në seancën kur qeveria nuk arriti të miratojë shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Më pas, opozita ishte kundërpërgjigjur me nismën për formimin e komisionit hetimor parlamentar për privatizimin e PTK-së me pretendimet se procedurat nuk kishin përfillur ligjet.

Në këso rrethana, as pozita dhe as opozita nuk kanë mundur të zhvillojnë seancën dhe puna ishte bllokuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se edhe kjo parti politike është pajtuar që përkohësisht të zhbllokohet puna, por ai e ka përjashtuar mundësinë që LDK si shumicë opozitare të mbështes buxhetin nëse PDK në anën tjetër nuk pajtohet me nismën e LDK-së për formimin e komisionit hetimor për privatizimin e PTK-së.

“Për ne të gjitha pikat janë të rëndësishme, e për këta (PDK-në) është i rëndësishëm vetëm buxheti. Se këta mendojnë që e shtyjnë, por ne e dimë që kjo qeveri është e rrezuar dhe nuk ekziston. Por, ajo që është e rëndësishme, me propozimin e kryetarit Krasniqi ne u pajtuam dhe ne ishim ata që po e zhbllokojmë punën e Kuvendit së paku edhe për një seancë. Ndërkaq kurdo që vjen në rend ditës, ne kërkojmë formimin e komisionit hetimor për të hetuar një vendim të paligjshëm të qeverisë”, tha Beqiri.

Gjendja aktuale në Kuvendin e Kosovës është komentuar me këto fjalë nga deputeti i AAK-së, Ardian Gjini.

Gjendja është tepër e qartë. Qeveria nuk ka numra as për ta filluar një seancë dhe as për miratimin e rendit të ditës, ngase nuk po mund t’i ketë 61 deputetë në sallë. Kurse opozita në anën tjetër nuk ka numra për ta shkarkuar qeverinë, sepse ka një numër të caktuar deputetësh që janë të pavarur”, theksoi Gjini.

Pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve lokale, pritet që Kuvendi apo edhe liderët politik të ndërmarrin ndonjë nismë për të zhbllokuar punën e Kuvendit apo edhe për t’u marrë vesh për zgjedhjet e parakohshme parlamentare për pranverën e vitit tjetër.

Në këtë marrëveshje, besohet se do të përfshihet data e mbajtjes së zgjedhjeve, miratimi i buxhetit, miratimi i disa reformave zgjedhore si dhe i ligjeve që kanë të bëjnë me procesin integrues në BE, apo më konkretisht atë të MSA-së.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG