Ndërlidhjet

Remitencat të investohen në biznese


Gjysmë miliard euro është shuma e dërgesave të emigrantëve kosovarë që hyjnë çdo vit në Kosovë, mjete këto të cilat kryesisht janë shpenzuar për konsum, investim në shkollim dhe shumë pak janë investuar në krijimin e ndonjë biznesi, që rrjedhimisht do të mundësonte punësim.

Pavarësisht krizave ekonomike që kishte pasur në shtetet evropiane, kosovarët që jetonin dhe punonin në këto vende vazhdonin të dërgonin para në Kosovë për familjarët e tyre.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë për një rritje të dërgesave të emigrantëve në periudhën janar - qershor të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sokol Havolli, zëvendës drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar dhe të Analizave Ekonomike në BQK në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon për ecuritë e remitencave në Kosovë.

“Të dhënat deri në qershor tregojnë për trende pozitive. Në dërgesat e emigrante, për gjysmë viti kanë arritur në 272 milioën euro që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është një rritje prej 4.2 për qind. Disa të dhëna preliminare tregojnë që edhe deri në shtator po vazhdon me trende pozitiv, por të dhënat e finalizuar do të bëhen publike brenda pak ditëve”, bën të ditur Havolli.

Orientimi i këtyre mjeteve në investime në sektorë të ndryshëm në Kosovë ishte konsideruar nga ekspertët e ekonomisë si mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve.

Por, nga përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës ndërrimi i fokusit të remitencave konsiderohet të jetë një punë e vështirë.

“Është shumë e vështirë që remitencat të kthehen nga konsumi në investime. Janë rreth 600 milionë euro në vit që vinë në Kosovë por duhet të kemi parasysh se këto vinë në bazë të rregullta mujore apo tre mujore dhe vinë në shumë relativisht të vogla si p.sh 200 apo 300 euro në muaj. Dhe është e vështirë që një familje që pranon dërgesa që të ndryshojë kursin e këtyre remitencave pasi që me 200 apo 300 euro është vështirë të krijohet ndonjë investim”, vlerëson Havolli.

Thuhet se afër 25 për qind e popullatës, ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Sipas një sondazhi të Institutit të Hulumtimeve Gallup, të bërë kohë më parë, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, del se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.

Në Gjermani dhe Austri, aty ku ka një numër të madh të kosovarëve që jetojnë dhe punojnë, tregon ministri i Diasporës Ibrahim Makolli, se së fundi është themeluar asociacioni i bizneseve shqiptare.

Në takimet që ministri Makolli ka pasur më përfaqësues të këtyre asociacioneve, thotë se ka pasur interesim të madh për të investuar në Kosovë.

Ajo që unë kam parë në muajt e fundit dhe bisedat që kam pasur me ta është edhe bashkimi i mjeteve të mërgatës, një, dy apo më shumë investitorë që dëshirojnë të investojnë në fusha të caktuar”, shton Makolli.

Makolli bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se ajo çka është bërë në Kosovë dhe që po bëhet është sigurimi i informatave nga të gjitha komunat se cilët janë sektorët ku mund të investojë diaspora kosovare.

Po thuajse në të gjitha fushat ka interesim, në fushën e energjisë, minierave, blegtorisë, bujqësisë, ofrim të shërbimeve, në gastronomi, tekstil, prodhimtari të lehtë dhe po ashtu ata e shohin edhe ndërtimin e partneritetit me bizneset në Kosovë dhe në këtë kuadër edhe bashkëpunimin me investitorët e huaj”, thotë ministri Makolli.

Interesimi i diasporës për të qenë pjesë e investimeve edhe në Kosovë, siç thekson Makolli, përveç që ka të bëjë me interes ekonomik është edhe lidhja e pasardhësve me vendin e origjinës.

Ndryshe, vlerësohet se në një periudhë afatmesme apo afatgjatë, mund të pritet që dërgesat e emigrantëve edhe mund të fillojnë të bien gradualisht për shkak të krijimit të gjeneratave të reja në diasporë dhe dobësimit të lidhjes ndërmjet diasporës dhe Kosovës.
XS
SM
MD
LG