Ndërlidhjet

logo-print
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se nga fillimi i vitit e deri më tani në Maqedoni janë regjistruar 109 incidente në shkolla, ngjarje të ndryshme sportive si dhe nëpër rrugët e qytetit, e kryesisht në transportin urban.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, incidente më së shumti janë regjistruar në Shkup.

Nga incidentet kanë pësuar dhjetëra të rinj që kanë përfunduar edhe në spitale për shkak të plagëve të marra nga armët e ftohta si thika, shufra hekuri ndërsa në një rast është përdorur edhe arma e zjarrit.

“Për të gjitha këto incidente janë paraqitur padi penale kundër 21 personave nën dyshimin se kanë kryer vepra të ndryshme penale si tentim vrasje, shkaktim të lëndimeve të rënda trupore e dhunë. Kërkesa për ngritje të padive kundërvajtëse ka edhe kundër 120 personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesëmarrës incidente”, ka deklaruar ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Ajo nuk ka dashur të saktësojë përkatësinë etnike të personave të përfshirë në incidente, por bazuar nga denoncimet e ndryshme që janë bërë, thuajse të gjitha incidentet janë me motive etnike.

Këto të dhëna ajo i ka publikuar pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me sektorin civil për angazhimin e policëve të pensionuar, të ish inspektorëve të cilët do të mbajnë ligjërata nëpër shkolla për rrezikut e armëve të zjarrit dhe parandalimin e incidenteve, por fushata parandaluese, janë paralajmëruar edhe përmes mediumeve.

Nga qendra për tolerancë ndëretnike e cila është e përfshirë në projekte të ndryshme të bashkëjetesës thonë se masat e tilla nuk mjaftojnë për eliminimin e dukurive të tilla, por duhet që aktivitete të ketë edhe nga vet shkollat prindërit dhe faktorë tjerë në shtet.

“Duhet që të punohet më shumë dhe të ndërmerren masa parandaluese në vet shkollat, me nxënësit, arsimtarët dhe drejtuesit e tyre pasi fushatat mediatike nuk do të japin rezultatet e pritura. Ne si qendër për marrëdhënie ndëretnike kemi ndërmarrë masa kryesisht në zonat më të ndjeshme, pra atje ku ka pasur incidentet dhe besoj se kemi arritur rezultate”, thotë Vllado Dimovski nga qendra për tolerancë ndëretnike.

Nga ana tjetër, problem në luftimin e incidenteve sipas ekspertëve për çështje juridike, paraqesin e procedurat gjyqësore të cilat përkundër paraqitjes së padive ato stërzgjaten apo asnjëherë nuk marrin epilog.

Që të ketë rezultate duhet që të gjitha paditë e ngritura nga Ministria e Brendshme të shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar nga gjykatat thotë Osman Kadriu sipas të cilit, ky do të ishte një mesazh i fuqishëm për keqbërësit se do të përballen me dënime të rënda nëse shkaktojnë incidente.

“Është evidente se shumë kallëzime penale, shumë fletëparaqitje penale zvarriten në procesin e mëtutjeshëm gjyqësor ose fare të mos ketë procedurë penale, nuk shqyrtohen në afatin e duhur dhe me këtë nuk ndriçohet rasti, kjo nuk është në rregull. Natyrisht se në rastin konkret ka përzierje të pushteteve tjera dhe kur ka një gjë të tillë paraqitet presion ndaj pushtetit gjyqësor dhe këtu kemi të bëjnë me pengesën e parë e cila duhet të kapërcehet”, thotë Osman Kadriu.

Sipas tij, dëshmi se pushteti gjyqësor nuk është në detyrën e tij është edhe rasti i rrahjes së disa të rinjve shqiptar në lagjen Aerodrom të Shkupit.

Kallëzimet penale të ngritura nga Ministra e Brendshme ndaj disa personave të përfshirë në këtë rast asnjëherë nuk janë procesuar ndërsa autorët e tyre vazhdojnë të shëtisin lirshëm.

Incidentet e tilla ndëretnike janë përmendur edhe në raportet e ndryshme të institucioneve ndërkombëtare të cilat kanë kërkuar angazhim më të madh të institucioneve për vendosjen e situatës nën kontroll.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG