Ndërlidhjet

logo-print

Afro 10 milionë njerëz të prekur nga tajfuni Haiyan

  • RFE /RL

Filipine

Filipine

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një aeroplan-mbajtës dhe 20 milionë dollarë ndihma në Filipine, ku ekziston frika për më shumë se 10,000 njerëz të vdekur nga tajfuni Haiyan.

Zyrtarët kanë thënë se aeroplan-mbajtësi USS George Washington është urdhëruar të lërë Hong Kongun dhe t’iu bashkohet përpjekjeve të ndihmës.

Anija, me rreth 5,000 forca detare dhe 80 avionë, do të shoqërohet edhe nga pesë anije të tjera, për të siguruar ndihmë humanitare, furnizime dhe përkujdesje mjekësore.

Pentagoni ka thënë se transportuesi pritet të arrijë në zonën e fatkeqësisë brenda 48 apo 72 orësh.

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara ka thënë se siguron 20 milionë dollarë ndihma, përfshirë ushqime dhe thasë për strehim.

Edhe kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka thënë se vendi i tij do të dërgojë një luftanije të Marinës Mbretërore dhe rreth 16 milionë dollarë ndihma për viktimat e tajfunit, i cili ka goditur më 8 nëntor.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë në mesin e dhjetëra vendeve dhe organizatave që janë zotuar për dhjetëra miliona dollarë ndihma.

Zyrtarët e OKB-së llogarisin se një total prej rreth 9.8 milionë filipinasve në 41 provinca janë prekur nga tajfuni Haiyan. Po sipas OKB-së, stuhia e fuqishme ka shkaktuar zhvendosjen e 660,000 njerëzve.

John Ging, drejtor i Divizionit Operativ në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, ka dhënë këtë deklaratë për gazetarët:

“Janë rreth 660,000 njerëz që janë zhvendosur nga ky tajfun. Ne natyrisht jemi mobilizuar shpejt dhe në shkallë të gjerë”.

Ging po ashtu ka thënë se prioritet i menjëhershëm është varrosja e mijëra të vdekurve, për të parandaluar problemet në shëndetin publik.

Ai ka bërë me dije se zyrtarët janë duke u përgatitur “për më të keqën”, duke thënë se “sa më shumë që kemi qasje, shohim gjithnjë e më shumë njerëz të vdekur nga ky tajfun”.

Komisionarja për Ndihma Humanitare e Kombeve të Bashkuara, Valerie Amos, viziton sot Filipinet. OKB tashmë ka lëshuar 25 milionë dollarë fonde emergjente.

Pjesa më e madhe e operacioneve të shpëtimit janë përqendruar në Takloban, të Ishullit Lejte. Raportet thonë se shumica e qytetit është nën rrënoja, pasi është goditur rëndë nga erërat masive.

Raporet flasin për banorë të dëshpëruar të Taklobanit, të cilët bastisin shtëpitë e braktisura dhe bizneset, për të marrë ushqime dhe mallra të tjera.

Mijëra banorë të këtij qyteti janë dyndur në aeroport, për t’u larguar nga zona e shkatërruar.

“Po mbijetojmë ende, edhe pse është mjaft e vështirë. Çdo gjë është zhdukur, shtëpitë tona, çdo gjë. Nuk ka asgjë për të ngrënë as për të pirë”, ka thënë një banore me emrin Maridoll. (v.tela)
XS
SM
MD
LG