Ndërlidhjet

Gjendja e rëndë ekonomike, papunësia e latë si dhe mungesa e një perspektive të sigurt, ka bërë që një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë të sigurojnë pasaportë bullgare.

Procedura për marrjen e pasaportës bullgare zgjat 2 vjet dhe zakonisht bëhet me ndëmjetësues, të cilët sipas shpalljeve në internet për mbledhjen e dokumentacionit ë nevojshëm, kërkojnë nga 180 deri 250 euro.

Autoritetet zyrtare thonë se nuk kanë të dhëna të sakta se sa qytetarë të Maqedonisë janë pajisur me pasaportë bullgare, ndërsa jo zyrtarisht mësohet se mbi 100 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë marrë shtetësinë e Bullgarisë në bazë të një deklarimi se kanë rrënjë bullgare.

Me liberalizimin e vizave, qytetarëve të Maqedonisë u sigurohet vetëm qarkullimi i lirë, por jo edhe mundësia për të punuar në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian.

Kjo është dhe arsyeja pse një tridhjetëvjeçar nga Maqedonia, i cili dëshiron të mbetet anonim, thotë se ka siguruar shtetësinë bullgare për tërë familjen e tij për ta pasur më të lehtë qëndrimin në Gjermani, ku tanimë është duke punuar.

“Po para shtatë vitesh e mora pasaportën bullgare, pasi që në vendin tonë nuk arrita të gjej punë dhe pashë se me pasaportën bullgare mund të shkohet më lehtë në vendet evropiane dhe njëkohësisht më lehtë të gjendet një punë atje. Momentalisht jam në Gjemani, dhe mund të siguroj një pagë e cila është shumë e vështirë të sigurohet në vendlindje, në Maqedoni”, thotë ai, duke nënvizuar se edhe përkundër asaj se tregu i punës edhe në Gjemani bëhet më i ngushtë, ai nuk planifikon që të kthehet së shpejti në Maqedoni.

Një pjesë e zyrtarëve bullgarë kanë theksuar disa herë se interesi për shtetësinë bullgare nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen e lirë të qytetarëve maqedonas dhe sigurimit të një vendi pune në shtetet e BE-së, por interesimi i theksuar ka të bëjë dhe me kthimin kah origjina e popullsisë maqedonase.

“Për nënshtetësinë bullgare ka interes të madh në Maqedoni. Deri më tani 86 mijë maqedonas kanë fituar pasaporta bullgare, që përbëjnë pothuajse 10 për qind nga popullsia sllave në vend. Ky interes vazhdon edhe tani, me çka bie teza e propagandës maqedonase se pasaportën bullgare maqedonasit e kanë dashur vetëm për udhëtuar drejtë Perëndimit. Para dy viteve BE i hoqi vizat për Maqedoninë, por interesimi për pasaportën bullgare vazhdoi të jetë i madh”, është shprehur në fillim të këtij viti drejtori aktual i Muzeut Kombëtar të Sofjes Bozhidar Dimitrov.

Gjersa sociologu maqedonas Ilia Acevski konsideron se mungesa e një perspektive të qartë për të rinjtë në Maqedoni është arsyeja kryesore se pse është në rritje numri i atyre që kërkojnë të pajisen e pasaportë bullgare.

“Është shumë e thjeshtë të kuptohet kjo dukuri nëse keni parasysh se mungojnë perspektivat për një jetë normale. Këtë e dëshmojnë dhe të dhënat statistikore se tregu i punës është i stërngarkuar me kuadër të lartë arsimor, madje për disa profesione të caktuara duhet pritur më shumë se dhjetë vjet”, thekson Acevski.

Ai thotë se në një kohë ku shoqëria është e hapur dhe lehtë mund të gjendet informacion se cila janë mënyrat për të siguruar një jetë më të mirë është e kuptueshme se edhe sigurimi i pasaportës bullgare shihet si një mundësi për të siguruar një jetë më të mirë.

Ndryshe, të dhënat e fundit të Bankës Botërore flasin se nga Maqedonia gjatë dy dekadave të fundit janë shpërngulur rreth 447 mijë persona.
XS
SM
MD
LG