Ndërlidhjet

Sezoni ngrohës nga kompania "Termokos" çdo vit nis më 15 tetor.

Edhe pse në mes të muajit nëntor, kjo kompani ende nuk ka filluar të ngrohë qytetarët e Prishtinës dhe kjo për shkak të temperaturave jo të ulëta që po mbretërojnë në Kosovë, thonë zyrtarë në kompaninë "Termokos".

Afërdita Uka, zëdhënëse në këtë institucion, jep hollësi të tjera:

"Ka më shumë se dy muaj që 'Termokos-i' ka përfunduar përgatitjet për fillimin e sezonit ngrohës. Janë bërë porositë e sasisë së 500 tonëve mazut, të cilat gjenden në rezervuare dhe gjithçka është gati. Por, deri më tani nuk kemi startuar për shkak të temperaturave të volitshme që kanë mbretëruar dhe posa të bien ato, do të fillojmë".

Pavarësisht faktit se temperaturat nuk janë ende nën minus gradë celsius, kategorive të caktuara, si pacientëve apo edhe nxënësve, u nevojitet ngrohja.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se tashmë kanë filluar t'i ngrohin klinikat me ngrohje vetanake, në mungesë të ngrohjes nga ana e "Termokos-it".

"Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka bërë prërgatitjet për sezonin ngrohës dhe do të shfrytëzohen të gjitha alternativat, në mënyrë që pacientëve mos t'iu mungojë ngrohja. Presim që 'Termokos-i' ta ngrohë këtë vit më mirë QKUK-në, për shkak se vitet e kaluara kemi pasur probleme me ngrohje".

"'Termokos-i' ende zyrtarisht nuk ka filluar me ngrohje, por ne kemi filluar të ngrohim me ngrohtoren alternative me naftë, e që është shumë e kushtueshme për buxhetin tonë. Në orët e mëngjesit janë lëshuar, por ne nuk jemi duke ngrohur pandërprerë, për shkak se nuk kemi mundësi dhe temperaturat ende nuk janë shumë të ulëta", bën të ditur Fazliu.

Edhe udhëheqës shkollash, pohojnë se tashmë kanë filluar t'i ngrohin klasat, për shkak se nxënësit duhet të rrinë brenda tyre nga më shumë se 4 orë.

Zëvendësdrejtori i Shkollës Fillore "Faik Konica" në Prishtinë, Arsim Gashi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se e kanë vënë në funksion ngrohjen vetanake që kjo shkollë posedon.

"E kemi ngrohjen vetanake. Ka dy ditë që e kemi lëshuar ngrohjen. Ne e kemi mundësinë e ngrohjes vetanake. Tashmë kemi siguruar naftën nga drejtorati komunal", thotë Gashi.

Ndërkaq, qytetarët thonë se vitet paraprake, edhe pse kanë qenë parapagues të rregullt të ngrohjes nga ngrohtorja "Termokos", kjo kompani nuk i ka ngrohur as atëherë kur temperaturat kanë qenë në minus gradë celsius.

Këtë e thotë Sebiha Krasniqi, e cila jeton në qendër të Prishtinës.

"Në banesë e kemi nxehjen qendrore, e cila vitet paraprake nuk ka funksionuar, mund të them gjatë 80 për qind të kohës së dimrit, andaj na mbetet që të ngrohemi me energji elektrike. Por, meqë është shtrenjtuar rryma shumë dhe faturat po i marrim të fryra, na mbetet që këtë dimër të ngrohemi edhe me gaz, e që nuk është alternativa më e mirë për ngrohje, por na mbetet si alternativa e vetme", tregon Sebiha Krasniqi, një banore e qendrës së Prishtinës.

Nga ana tjetër, zëdhënësja Afërdita Uka, thekson se borxhi i përgjithshëm i rreth 12 mijë konsumatorëve ndaj ngrohtores së kryeqytetit, "Termokos", që nga paslufta, tashmë ka arritur shumën prej 17 milionë eurosh. Prej tyre, 3 milionë janë borxhe të subjekteve afariste.

Sipas zëdhënëses Uka, tashmë kjo kompani është duke shqyrtuar listat e borxhlinjve dhe varësisht nga niveli i borxheve, bordi do të marrë vendime për shkyçje.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG