Ndërlidhjet

Treni drejt askundit


Treni me aktivistë nga Greenpeace
Treni me aktivistë nga Greenpeace
Tom Balmforth

Në errësirën e orëve të hershme, rojet e burgut në Rusi kanë transferuar me një tren të posaçëm dhjetëra aktivistë të organizatës Greenpeace, nga qelitë e tyre në Murmansk.

Avokatëve dhe të afërmve nuk u është dhënë asnjë paralajmërim paraprak. Po ashtu ka qenë e paqartë se ku do të dërgohen dhe kur do të arrijnë.

Por, nuk ka qenë asgjë e pazakontë në lidhje me transferimin që ka ndodhur të hënën. E vetmja gjë e pazakontë ishte se hetuesit kanë sqaruar më pas se grupi është transferuar në një qendër paraburgimi në Shën Petersburg.

Në Rusi, transferimet e burgut mund të marrin ditë, javë e madje edhe muaj. Dhe, siç e konfirmon edhe rasti i aktivistes së burgosur të grupit Pussy Riot, Nadezhda Tolokonnikova, autoritetet nuk janë të detyruara ligjërisht të japin informacione për vendndodhjen e të burgosurit apo kushtet e tij.

Vendndodhja e Tolokonnikovas ka qenë mister kombëtar qysh më 21 tetor, kur autoritetet e burgut kanë njoftuar se ajo është transferuar nga Kampi i Burgut të Grave numër 14 në Mordovia, deri më 12 nëntor, kur zyrtarët kanë thënë se ajo tani ndodhet në një burg në Siberi.

Misteri që ka shoqëruar udhëtimin e saj ka tërhequr vëmendjen për mënyrën e fshehtë të transferimit të të burgosurve, që në Rusi njihet si “etapirovanie” (transferimi i të burgosurve).

Procesi “etapirovanie” përfshin trena të pajisur me qeli, ku të burgosurit flenë, nganjëherë për ditë të tëra. Ata nuk janë në kontakt me askënd gjatë procesit, i cili është tejet i fshehtë.

Valery Sergeyes është zëvendësdrejtor i Qendrës për Reformimin e Burgjeve, me seli në Moskë:

“Fakti se një person zhduket nga kontakti me të afërmit dhe punonjësit e të drejtave, është skandaloz, sidomos në kohën moderne. Kjo nuk është epokë e Gulagut. Kjo praktikë është mjet tipik për Gulagun”, thotë ai.

Sergeyev ka pikturuar një portret të zymtë të kushteve që të burgosurit durojnë.
Ai thotë se në kabinat e trenit futen nga 12 të burgosur, që në kushte normale do të duhej vetëm katër. Të burgosurit kanë me vete po ashtu çanta prej nga 50 kg.

U lejohet të përdorin tualetin vetëm dy herë në ditë dhe ujë u jepet gjithashtu dy herë në ditë.

Sergeyev thotë se shumica e “trenave burgje” janë prodhuar në fund të viteve 1960, edhe pse në vitet e fundit ka nisur zëvendësimi i tyre.

Ai thotë se në qelitë brenda tyre nuk ka dritare dhe se ato kanë problem me ventilimin, i cili ndjehet shumë, kur të burgosurit mbahen në bord më shumë se dy ditë.

Pyotr Verzilov, burri i Tolokonnikovas, ka kaluar tre javët e fundit duke udhëtuar mijëra kilometra, në kërkim të vendndodhjes së gruas së tij.

Ai ka folur më 11 nëntor për Radion Evropa e Lirë nga qytetin Krasnojarsk i Siberisë.

Kemi pritur që ajo të arrijë në Krasnojarsk të enjten e kaluar (7 nëntor). Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Verzilov.

Duke cituar zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, Avokati rus i Popullit, Vladimir Lukin, i ka thënë agjencisë Interfax më 12 nëntor se Tolokonnikova ka arritur në një burg të Krasnojarsk Krait.

Autoritetet ruse kanë vendosur të transferojnë Tolokonnikovan në Siberi, sepse ajo ka lindur në Krasnojarsk Krai dhe ka qenë e regjistruar si banore e përhershme e qytetit Norilsk atje, ka thënë Lukin.

Tolokonnikova është duke shërbyer dënimin prej dy vjetësh burg, për shkak të një performance, vitin e kaluar, kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.(v.tela)
XS
SM
MD
LG