Ndërlidhjet

logo-print

Frika nga hakmarrja, shkaku pse nuk raportohet korrupsioni


Ilustrim

Ilustrim

Qytetarët nuk duhet të heshtin, duhet ta raportojnë korrupsionin dhe të besojnë në institucionet kompetente që kanë për synim luftimin e kësaj dukurie, thonë përfaqësues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ata nga shoqëria civile.

Drejtori i Departamentit për luftimin e korrupsionit në AKK, Blerim Kelmendi, tha për Radion Evropa e Lirë, se qytetarët nuk e raportojnë korrupsionin, pasi që, sipas tij, ende ekziston mentaliteti se një raportimi i tillë mund të konsiderohet si “spiunim”.

Arsyet mund të jenë të ndryshme, duke u nisur nga fakti se është krijuar perceptimi se do të ishte e pakuptimtë të raportohet, meqë askujt nuk do t’i interesojë për atë raportim. Po ashtu, arsye mund të jetë edhe perceptimi se parregullsitë nuk duhet të paraqiten, sepse i paraqesin vetëm ‘spiunët’ dhe mund të jetë edhe frika nga hakmarrja”, tha mes tjerash Kelmendi.

Ai theksoi se arsye tjetër mund të jetë se qytetarët nuk dinë saktë ku të drejtohen për raportimin e korrupsionit.

“Në disa raste, mund të jetë edhe si arsye mos-njohuria se ku duhet të raportohet për aferat e ndryshme, me të cilat ata përballen. Të gjitha këto çështje konsiderojmë se nuk kanë arsye që të qëndrojnë edhe më tutje për faktin se konsiderojmë se Kosova ka arritur që deri diku të krijojë institucione të konsoliduara, si dhe legjislacion, i cili do të merret me mbrojtjen e tyre”, theksoi Kelmendi, duke shtuar se të raportosh korrupsionin, nuk është një akti i lig, por një akt i lartë moral dhe patriotik.

Në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, i cili është përpiluar në bashkëpunim me Entin e Statistikave të Kosovës, me titull “Bizneset, korrupsioni dhe krimi”, u tha se një e treta e bizneseve, diku rreth 28.2 për qind, nuk e kanë raportuar ryshfetin, sepse siç thanë ata, raportimi do të ishte i pakuptimtë, meqë askujt nuk do t’i interesonte.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni, në Institutin Demokratik të Kosovës, përmend disa nga arsyet që po ndikojnë që qytetarët të mos e paraqesin korrupsionin.

“E para arsye është se gjithmonë janë dy palë që marrin pjesë në një aferë korruptive dhe zakonisht të dyja palët janë të kënaqura dhe përfitojnë nga kjo aferë. Tjetra është se te ne shumë shpesh, sidomos institucionet, nuk kanë korrur rezultate në këtë drejtim dhe për këtë arsye janë dekurajuar qytetarët, apo bizneset që të raportojnë rastet e korrupsionit. Pra, rezultatet kanë munguar vazhdimisht nga të gjitha institucionet dhe kjo është ajo arsyeja kryesore pse kemi një përqindje shumë të vogël të atyre që e raportojnë korrupsionin”, theksoi Mustafa.

Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, perceptimet për nivelin e korrupsionit duhet të vënë në lëvizje autoritetet kompetente për të ndërtuar politika që të luftohet ky fenomen, ndërsa edhe qytetarët nuk duhet t’i heshtin rastet korruptive.

Ndërkaq, qytetarët mendojnë se asnjë nga institucionet kosovare që ka për qëllim luftimin e korrupsionit, nuk po e bën siç duhet punën e vet në drejtim të luftimit të korrupsionit.

Veli Bytyçi, qytetar nga Prishtina, i cili me profesion është ekonomist, tha se si mund të luftohet dhe raportohet korrupsioni nga mekanizmat që vetë janë të korruptuar!

“Nuk ka se si të luftohet korrupsioni nga njerëzit që janë të korruptuat vetë. Këtu kam parasysh qeveritarët, përfaqësuesit e ndryshëm të agjencive që u prijnë atyre, institucionet e drejtësisë, dhe ata që do të duhej gjykuar dhe luftuar korrupsionin, vetë janë të korruptuar, prandaj s’kemi pse të kërkojmë nga këta njerëz të luftojnë korrupsioni”, u shpreh Veli Bytyçi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG