Ndërlidhjet

Kandiq: Prokuroria ka përdorur teknika të frikësimit të dëshmitarëve


Natasha Kandiq

Natasha Kandiq

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, e ka cilësuar të pasaktë deklaratën e zëvendësprokurorit serb, Bruno Vekariq, se polici Sllobodan Stojanoviq, e ka braktisur vullnetarisht programin e mbrojtjes, i cili i është ndarë nga Tribunali për Krime Lufte, në lidhje me hetimet kundër ish-komandantit të togut 37 të Njësisë Speciale Policore, Radosllav Mitroviq, dhe të 16 pjesëtarëve të kësaj policie.

“Në marrëveshje me prokurorinë, njësia për mbrojtjen e dëshmitarëve, më 29 tetor 2009, pa asnjë njoftim paraprak, ka hyrë në banesën e përkohshme të dëshmitarit të mbrojtur, e ka urdhëruar të mbledhë gjërat, bashkëshorten dhe fëmijën, për t’u kthyer në Leskovc, me një arsyetim të shkurtër se i është hequr statusi i dëshmitarit të mbrojtur”.

“Marrë parasysh faktin se kam përfaqësuar familjet e viktimave në lëndë, në fazën e hetimeve kundër Mitroviqit dhe të tjerëve, në mënyrë indirekte jam e njohur me teknikat e presionit, që ka përdorur Prokuroria për të frikësuar dëshmitarin Stojanoviq dhe tre policë të tjerë, ish-anëtarë të Njësisë Speciale nën komandën e Radosllav Mitroviqit, nga dëshmia për krimet e luftës të kryera në Kosovë”.

“Deri më sot nuk e kam kuptuar përse prokurori Stankoviq ka iniciuar procedurë penale kundër të lajmëruarve nga Fondi për të Drejtën Humanitare, për ta ndryshuar plotësisht qëndrimin disa muaj më vonë, duke rrezikuar pozicionin e dëshmitarit të mbrojtur dhe gatishmërinë e policëve dëshmitarë për të folur për krimet e luftës”.

“Në këtë lëndë, pas shtatë vjetësh që përfaqësoj familjet e viktimave, kam qenë e ekspozuar ndaj ofendimeve që më janë bërë nga ana e mbrojtësve të të pandehurve, në praninë e gjykatësit hetues dhe prokurorit, të cilët kanë folur për mua me gjuhën që mund të dëgjohet vetëm në shtëpi publike”.

“Për të më larguar nga procedura, sikurse edhe dëshmitarët e mbrojtur, gjykatësi hetues dhe prokurori kanë shkuar aq larg saqë janë pajtuar me mbrojtësit se ka arsye për të dyshuar se unë kam falsifikuar autorizimet e familjeve të viktimave, çfarë ka çuar në përjashtimin tim nga procedura”, ka thënë Kandiq.
XS
SM
MD
LG