Ndërlidhjet

Veriu i tendosur para zgjedhjeve


Veri...
Veri...
Pak ditë para zgjedhjeve që do të përsëriten në tri qendra të votimit në Mitrovicën e veriut, me 17 nëntor, situata në anën veriore të lumit Ibër, mbetet e tensionuar dhe e pasigurt, vlerësojnë disa qytetarë serbë të këtij qyteti.

Ata thonë se atmosfera në qytet është e ngjashme me atë që ishte para zgjedhjeve të 3 nëntorit, ditën kur tre qendra votimi ishin sulmuar vetëm më pak se dy orë para përfundimit të afatit të votimit.

Marko Jankoviq thotë se të dy taborë, ata që mbështesin zgjedhjet dhe ata që janë kundër këtyre zgjedhjeve, e kanë krijuar një situatë tejet të tendosur në qytet.

“Më e keqja është se ata përmes politikës së ndarjes, kanë arritur të fusin grindje në popullin që gjendet këtu, do të thotë, ata që bojkotojnë zgjedhjet dhe ata që nuk i bojkotojnë. Unë, personalisht, i bojkotoj zgjedhjet, por megjithatë, nuk dua ta akuzoj dikë që ka dalë në zgjedhje”, tha Jankoviq.

Situata e cila është krijuar në Mitrovicën e veriut dhe në përgjithësi në pjesën veriore të Kosovës, po shkakton pasiguri te qytetarët, vlerëson Zora Nikoliq.

Ai thotë se jeton me frikë...

Shikoni si jetojmë. Ne jetojmë me frikë dhe me pasiguri. Nuk kemi liri të lëvizjes edhe më tutje. Unë, si serb, ende ndjehem i rrezikuar, në secilin kuptim të kësaj fjale”, tha Nikoliq.

Jelena Stankoviq, thotë se situata në Mitrovicën e veriut mbetet e tensionuar qytetarët po e presin ditën e diel, 17 nëntorin, me pasiguri.

“Atmosfera në Mitrovicë është sikurse edhe herën e kaluar, derisa prisnim për zgjedhjet, ashtu e pasigurt. Gjatë natës është qetë, por njerëzit po e presin të dielën me brengosje. Do të thotë, asgjë nuk ka ndryshuar”, vlerëson Stankoviq.

Por, Ljubisha Petroviq, vlerëson se gjendja është kaotike në Mitrovicën e veriut dhe kjo gjendje duhet ndërprerë.

“Presim që të bëhet më mirë ose krejtësisht më keq, sepse kështu më nuk mund të jetohet. Gjithçka ka shkuar në kaos. Ne kemi konsideruar që zgjedhjet do të jenë më të mira dhe se do ta kemi më mirë, por këtu po bëhet gjithnjë e më keq”, theksoi Petroviq.

Megjithatë, këta qytetarë kanë mendime dhe qëndrime të ndryshme lidhur me daljen në zgjedhjet që do të përsëriten me 17 nëntor në tri qendra votimi në Mitrovicën e veriut.

Jankoviq thotë se nuk do të dalë në zgjedhje, për shkak se, sipas tij, ato janë të manipuluara.

“Do t’i bojkotoj, sepse unë mendoj se këto zgjedhje janë të parregullta, tashmë të kurdisura dhe se tashmë dihet se kush do t’i fitojë ato dhe kush do ta drejtojë komunën, qoftë serb apo shqiptarë. Kështu që unë nuk kam arsye që të dalë në zgjedhje të tilla”, u shpreh Jankoviq.

Nikoliq, shprehet shkurtimisht, se nuk do të dalë në zgjedhje.

“I pranoj vetëm zgjedhjet që i shpallë shteti i Serbisë”, ka theksuar Nikoliq.

Por, Stankoviq mendon ndryshe.

Sipas saj, serbët e kanë kuptuar se duhet t’i përgjigjen thirrjes së autoriteteve të Serbisë për të dalë në zgjedhje.

“Mendoj se shumica e njerëzve do të dalin kësaj here në zgjedhje, sepse e kanë kuptuar se duhet ta mbështesin Qeverinë e Serbisë, e cila i ndihmon financiarisht me vite”, ka shprehur mendimin e saj Stankoviq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Petroviq.

Sipas tij, ka mjaft revoltë te njerëzit që do të shërbejë si motiv për të dalë dhe për të votuar.

“Mendoj se mjaft njerëz do të dalin. Populli është mjaft i revoltuar me gjendjen dhe me gjithë këtë çfarë po ndodhë, sepse ka njerëz, të cilëve u punojnë të gjithë anëtarët e familjes në një sipërmarrje dhe ka të tillë që nuk kanë asnjë të punësuar”, shpjegoi Petroviq.
XS
SM
MD
LG