Ndërlidhjet

Praktikat diskriminuese për komunitetin LGBT, do të dënohen


Ilustrim
Ilustrim
Komuniteti LGBT në Kosovë, në përgjithësi, ndihet i kërcënuar dhe i frikësuar, kanë deklaruar pjesëmarrësit në një debat ku është prezantuar edhe një raport lidhur me mbrojtjen dhe të drejtat e këtij komuniteti.

Përfaqësuesit e organizatës joqeveritare “Nisma e të Rinjve për të drejtat e Njeriut”, që kanë hartuar raportin, thanë se nga hulumtimi i bërë më shumë se 40 për qind e të anketuarave kanë treguar se janë abuzuar verbalisht në publik dhe rreth 10 për qind ishin rrahur ose kërcënuar.

Natyra Avdiu, nga organizata “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” tha se ndër të gjithë të anketuarit pavarësisht nëse ata janë haptazi homoseksualë apo jo, 50 për qind nga ta kanë deklaruar se kanë frikë për shkak të homofobisë së përhapur dhe rasteve të abuzimit.

“Statistikat që kanë dalë nga raporti, është së 50 për qind ndiejnë frikë, ndërsa 50 për qind thonë se nuk kanë frikë. Ne po e ngremë si pyetje këtë se a është fjala për guxim personal apo për mbrojtje ligjore dhe siguri të përgjithshme. Kjo mbetet për t’u parë në kontest” , tha Avdiu, duke shtuar se kushtet e jetesës dhe të punës për komunitetin LGBT, do të duhet të përmirësohen në përputhje me miratimin dhe zbatimin e legjislacionit.

Kurse, ministrja e Integrimit Vlora Çitaku tha se Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po tregon qasje pozitive, të paktën duke hapur këtë debat për komunitetin LGBT.

Ajo theksoi, po ashtu, se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë kurrfarë frikësimi, diskriminimi apo trajtimi të pabarabartë të asnjërit.

Sipas Çitakut, të gjitha praktikat diskriminuese do të dënohen nga institucionet shtetërore.

“Është i nevojshëm miratimi i legjislacionit të veçantë specifik dhe gjithëpërfshirës, i cili do të promovojë dhe sigurojë barazinë dhe do të parandalojë dhe sanksionojë diskriminimin. Prandaj, edhe ne që kemi funksione publike duhet ta themi qarë dhe shkurt të jesh pjesëtar i komunitetit LGBT, nuk të bën të pabarabartë, përkundrazi”, theksoi Çitaku.

Ministrja Çitaku shtoi se promovimi i barazisë dhe ndalesa e diskriminim janë ngritur në nivelin më të lartë në legjislacionin e Republikës së Kosovës.

Ajo përmendi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton dhe garanton se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdo kush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim, theksoi Çitaku.

“Ata (komuniteti LGBT) kërkojnë nga ne pranim, jo ligje, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për dinjitetin njerëzor dhe dashurinë. Kush jemi ne të gjykojmë dikë bazuar në atë se kë e do? Ne duhet të gjykojmë ata që nuk e duan askënd”, u shpreh Çitaku.

Në raport thuhet se prej 88 të intervistuar të LGBT-së, 61 për qind prej tyre ishin homoseksualë ose lesbike, 25 për qind biseksualë dhe 14 për qind transgjinor.

Po thuajse ¼-ta e 23për qind të të anketuarve janë të martuar ose në një marrëdhënie heteroseksuale.

Mbi 80 për qind e tyre kanë deklaruar se ata janë nganjëherë të hapur për orientimet e tyre seksuale ose kurrë.

Ndërkaq, përfaqësues të ambasadave dhe të organizatave të tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut në Kosovë, kanë deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë me shumë në respektimin e të drejtave të këtij komunitet.

Tim Cartwright nga Këshilli i Evropës në Kosovës tha se aspekti i të drejtave të komunitetit LGBT është e drejta fundametale e të drejtave të njeriut.

Ai potencoi se Kosova ka legjislacion të mirë sa i takon mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por siç u shpreh ai, ligjet duhet të implementohen.

“Personat LGBT, vazhdojnë të jenë të paragjykuar në mjediset shoqërore homofobike. Sjelljet ndaj tyre janë të vrazhda. Sot në Kosovë, edhe pse ekzistojnë ligjet kundër diskriminimi, nuk ka asnjë rast që është sjellë para organeve të drejtësisë në Kosovës. Kjo është për keqardhje”, tha Cartwright.

Sido që të jetë,në përfundimin e raportit thuhet se në rrugën e Kosovës drejt evropianizimit dhe konsolidimit demokratik, mbrojtja e të drejtave të pakicave seksuale është duke u bërë gjithnjë e më e rëndësishme.

Ndër rekomandimet e hulumtimit të organizatës “Nisma e të Rinjve për të drejtat e Njeriut” është që institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë një planë kombëtar të veprimit për të promovuar respektin për personat LGBT dhe integrimin e çështjeve të tyre në fushatë më të gjerë avokuese për të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG