Ndërlidhjet

Mungesa e laboratorit të ushqimit, rrezikon qytetarin


Ilustrim

Ilustrim

Brenda këtij viti janë identifikuar mbi pesë produkte, të cilat kishin hyrë në tregun e Kosovës, e që më pas ishin cilësuar si të dyshimta dhe ishin ndalur nga autoritetet kompetente.

Analizat laboratorike të këtyre produkteve, çdo herë ishte dashur të bëhet në ndonjë nga shtetet e rajonit apo më gjerë, pasi që Kosova nuk ka një të tillë. Më shumë se dy javë thuhet të jetë afati i marrjes së rezultateve të analizave të produkteve që nga momenti i dorëzimit të tyre.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit thonë se në mungesë të këtij laboratori, shumë herë brenda këtij viti ishte rrezikuar shëndeti i qytetarit të Kosovës.

Aktualisht, në tregun e Kosovës janë në qarkullim tranguj me cilësi të dyshimtë të importuar nga Maqedonia, që sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, janë marrë mostrat dhe kanë dërguar bërjen e analizave në një laborator në shtetin e Italisë.

“Prej momentin të parë kur ne kemi marrë informatën për dyshimet për përqendrim më të lartë të pesticideve në produktet fito-sanitare ne i kemi marrë mostrat dhe i kemi dërguar në laborator të akredituar jashtë vendit, mostrat kryesisht kanë shkuar në Itali dhe tani jemi duke i pritur rezultatet për të konfirmuar praninë e pesticideve brenda normës së lejuar, apo më shumë në këto produkte”, shpjegon Thaçi.

Masa e kontrollit të detajuar, shton Thaçi nënkupton që produktet, të cilat dyshohen për cilësi, duhet të jenë të ndaluara deri në marrjen e rezultateve të analizave.

Kosova, tregon Lamir Thaçi, ka një laborator të avancuar të veterinarisë dhe ushqimit që kryen analiza në fusha të ndryshme, por që nuk kryen këto lloje të analizave specifike.

“Ne e kemi laboratorin shumë të avancuar, por asnjë shtet nuk mund t’i kryej të gjitha analizat për të gjitha produktet dhe me të gjitha metodat dhe është e natyrshme që ne kemi kontrata bashkëpunimi me laboratorë jashtë vendit. Përveç kësaj, ne jemi vend që importojmë shumë produkte ushqimore dhe për produktet e importuara edhe ne vendet tjera gjithmonë kërkohet që laboratori të jetë i një vendi tjetër, dhe ne këtë formë jemi të detyruar që disa prej analizave t’i kryejmë jashtë vendit”, shton Thaçi.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovarë është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

Mjaft kritik shprehet edhe kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku . Ai thekson se mekanizmat e mbikëqyrjes dhe inspektimi i tregut po bëhet me vonesë duke rrezikuar jetën e qytetarit.

“Ne këtu e kemi edhe një defekt të madh që ka të bëjë me dokumentet ndërkombëtare qofshin ato të nivelit botëror apo ato rajonal. Po shihet se dokumentet prapa të cilave po qëndrojnë shtet që i garantojnë ato, në të vërtet ato nuk po garantojnë asgjë dhe ne si konsumatorë në Kosovë, jemi të rrezikuar”, thekson Kaçaniku.

Mungesën e një laboratori që bën analizat e produkteve e quan të pakuptimtë Kaçaniku. Ai thotë se ky laborator është i domosdoshëm:

“Konsumatorë, taksapagues jemi duke ndarë mjete jashtëzakonisht të mëdha për kompletimin e të gjitha laboratorëve, qofshin numerikisht, qofshin me aparatura të nevojshme, e kemi fatin që edhe shtet mike po ndihmojnë Kosovën në kompletimin e tyre, pse kjo nuk ndodh në praktikë nuk e di”.

Edhe qytetarët thonë se janë të shqetësuar nga produktet dyshimta. Njmoza Sinani shprehet:

“Është shqetësuese kur dëgjon se ka produkte në treg e që mund të jenë të dyshimta. Në këtë rast duhet të ndryjë shteti pasi që po rrezikohet qytetari”.

Ndryshe, shamponi “Kosil”, domatja, margarina “Vital” dhe disa produkte të qumështit brenda këtij viti kishin hyrë në tregun e Kosovës dhe ishin konsideruar produktet me cilësi të dyshimtë.

Numri i ankesave të qytetarëve për produkte me afat të skaduar, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë gjatë këtij viti ka shënuar ngritje. Nga janari i këtij viti deri në shtator janë 187 ankesa të qytetarëve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG