Ndërlidhjet

Bullgari: Studentët përpiqen ta përmbysin qeverinë

  • Claire Bigg

Bullgari

Bullgari

Studentët në Bullgari po i intensifikojnë protestat e tyre, në përpjekje për ta përmbysur qeverinë, meqë ata konsiderojnë se ajo ka dështuar për tu marrë me korrupsionin në rritje dhe varfërinë.

Më herët këtë vit, një qeveri është përmbysur. Konsiderohet se Bullgaria është shteti më i varfër në Bashkimin Evropian.

Trazirat po përshkallëzohen në kryeqytetin Sofje, meqë studentët në protestat e tyre gjithnjë e më të mëdha, po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Qindra studentë, për tri ditë me radhë, mbeten në kampin e tyre afër Parlamentit të Bullgarisë. Ata kërkojnë, që qeveria e udhëhequr nga socialistët të tërhiqet dhe të hapë rrugë për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Dorëheqje, dorëheqje” – brohoriste turma e studentëve.

Protestat janë pjesë e një fushate, që po vazhdon, kundër asaj që studentët e përshkruajnë si lidhje të qeverisë me biznesmenët e dyshuar, përkundër varfërisë së madhe në Bullgari.

Gjatë tri javëve të kaluara studentët i kanë okupuar universitetet në gjithë Bullgarinë dhe kanë mbajtur pothuajse tubime të çdoditshme. Po ashtu, të dielën në qendër të Sofjes është organizuar “marshi i drejtësisë”, në të cilin kanë marrë pjesë mijëra vetë.

Demonstruesit i akuzojnë autoritetet, ndërsa ato deri tash, kryesisht, ishin të përqendruara në përfundimin e protestave e jo në shqyrtimin e shqetësimeve të tyre.

Studenti i Anglishtes, Alexander Popov, që ishte i lënduar në përleshjet me policinë gjatë protestave në fillim të javës, tha:

Ata janë të gatshëm për çdo gjë vetëm për të na heshtur. Ata nuk dëshirojnë që ne ta kundërshtojmë korrupsionin, oligarkët, dhe sistemin, që ata e kanë krijuar”, tha Alexander Popov.

Zemërimi lidhur me problemet shumë të mëdha të Bullgarisë, në muajin shkurt të këtij viti, e kanë detyruar qeverinë e fundit të qendrës së djathtë, që të paraqes dorëheqje.

Por, qeveria e re e kryeministrit Plamen Oresharski, e ka humbur pjesën më të madhe të mbështetjes, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Një lider i partisë së vogël në koalicionin qeverisës, MRF, është tërhequr këtë muaj nga posti i tij dhe prej atëherë kundër tij zhvillohen hetime për mashtrim tatimor dhe pastrim të parave.

Intensifikimi i protestave është bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lejuar që manjati i mediave, Delyan Peevski, të mbetet deputet në parlament, megjithëqë është nominuar për shef të agjencisë së fuqishme shtetërore për sigurinë kombëtare.

Nominimi i tij në këtë agjenci, në muajin qershor ka shkaktuar tmerr dhe me të shpejtë ishte tërhequr nga parlamenti, nën presionin e protestuesve.

Protestat kundër asaj që shumë bullgarë e shohin si marrje të ryshfetit nga qeveria dhe mosndëshkim për keq-bërje, nuk janë dobësuar.

Ja se çka thotë gazetarja nga kryeqyteti Sofje, Tatiana Vaksberg.

“Krimet kurrë nuk janë ndëshkuar. Është një sistem i drejtësisë që funksionon me vështirësi, ku rastet e profilit të lartë kundër krimit të organizuar asnjëherë nuk kanë sjellë çfarëdo rezultati. Ajo që na duhet janë strukturat shtetërore që funksionojnë”, thotë gazetarja Vaksberg.

Deri tash, protestat në masë të madhe ishtin paqësore.

Demonstruesit kanë përdorë taktikë pa dhunë dhe humor për t’i paraqitur kërkesat e tyre, duke e portretizuar kryeministrin Oresharski si “zombi”, ndërsa Gjykatën Kushtetuese, që konsiderohet se është lojale ndaj qeverisë, e kanë hedhur në shitje në faqen eBay në Internet.

Por, frustrimi në rritje i bullgarëve për pasoja ka pasur edhe tragjedi, përfshirë disa raste të vetë-djegies, në shenjë të protestës kundër kushteve të jetës për studentë. Në fillim të këtij viti janë shënuar nëntë raste të vdekjes për shkak të vetë-djegies, që ka çuar në rënien e qeverisë së mëparshme.

Hulumtimet e opininionit tregojnë se protestat janë të mbështetura nga afro 60% të bullgarëve, që janë të lodhur nga korrupsioni, jostabiliteti politik dhe vështirësit ekonomike në këtë vend, 24 vite pas rënies së komunizmit.

Shumë profesorë të universitetit dhe mësimdhënës u janë bashkuar studentëve, duke i dënuar “gënjeshtrat dhe manjatët e ambientit politik dhe shoqëror”.

Daniel Smilov është profesor i Shkencave politike në Universitetin e Sofjes.

“Ka konsensus në rritje se kjo situatë është e pashtegdalje dhe se dalja e vetme është mbajtja e e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Daniel Smilov.

Sipas tij, protestat kanë ndihmuar në konsolidimin e shoqërisë civile në Bullgari dhe kanë potencial për sjelljen e ndryshimeve politike afatgjata. Prej rënies së komunizmit në Bullgari ka rënë nataliteti, vdekshmëria është shtuar ndërsa emigrimi është në rritje.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka dështuar të sjellë prosperitet në këtë vend, ku mesatarja mujore e rrogave është 530 dollarë amerikanë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG