Ndërlidhjet

Zarif: Të gjitha palët t’i respektojnë rregullat për zgjedhje


Farid Zarif

Farid Zarif

Gjatë takimit të djeshëm me një numër të liderëve politikë në pjesën veriore të Mitrovicës, Farid Zarif, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ka thënë se në proceset demokratike, të drejtat e individëve për të zgjedhur janë të pacënueshme.

Mëtutje, në kumtesën e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) thuhet se zoti Zarif ka theksuar se të gjitha palët duhet t’i respektojnë rregullat e sjelljes paqësore dhe demokratike, e para se gjithash në interes të komunitetit të vet.

“Kompletimi i suksesshëm i procesit zgjedhor është një hap i rëndësishëm drejt lejimit të zërave të popullatës në Mitrovicën veriore, që të përfaqësohen mirë dhe të dëgjohen”, tha Zarif, dhe ka shtuar se “shqetësimet e ngritura nga ata që i takova ishin çuditërisht të ngjashme: ata dëshironin ta dinë se a e kanë rolin kryesor në formimin e fatit të tyre”.

Shefi i UNMIK-ut mëtutje ka shprehur optimizëm se kanalet e komunikimit konstruktiv, korrekt dhe të hapur, tashmë ishin forcuar nga zgjedhjet e përgjithshme.

Sipas zotit Zarif, komuniteti ndërkombëtar pret një bashkëpunim të afërt me të gjithë zyrtarët e ardhshëm të zgjedhur.
XS
SM
MD
LG