Ndërlidhjet

Obama: Pa sanksione të reja kundër Iranit


Barack Obama
Barack Obama
Presidenti amerikan Barack Obama, ka kërkuar mbrëmë nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara që të mos lëvizë përpara me propozimin për sanksione të reja kundër Iranit, derisa negociatat për programin e kontestuar atomik të këtij vendi janë në zhvillim e sipër.

Gjatë një konference për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama, tha se negociatat janë mënyra më e mirë për tu siguruar se Irani nuk do ta prodhoj armatimin atomik.

“Nëse ne jemi seriozë në ndjekjen e diplomacisë, atëherë nuk ka nevojë për sanksione shtesë në sanksionet ekzistuese, të cilat janë shumë efektive”, tha Barack Obama.

Ai theksoi se nëse Irani dështon t’i realizojë premtimet, atëherë “sanksionet mund të shtohen”.

Anëtarë të lartë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, së bashku me aletin amerikan Izraelin, besojnë se marrëveshja e propozuar me Iranin, gjatë bisedimeve të fundit të gjashtë fuqive botërore dhe Iranit në Gjenevë, mund t’i zbusë sanksionet para kohe dhe për këtë arsye kërkojnë ashpërsim të masave për t’i bërë presion Teheranit.

Në një intervistë për Televizionin Alhurra, senatori amerikan, John McCain, nga Arizona, tha se shumë ligjvënës amerikanë nuk janë të kënaqur me bisedimet e paradokohshme në Gjenevë, ndërmjet fuqive botërore dhe Iranit.

“Do të sugjeroja se shumica prej nesh kemi gatishmëri për të dhënë pauzë para se të fuqizohen sanksionet e mëtejshme, por ne jemi ekstremisht të pakënaqur lidhur me këto negociata në tërësi, që u lejojnë iranianëve të drejtën për të pasuruar. Iranianët në vazhdimësi kanë mashtruar kohë pas kohe, duke mbizotëruar ndaj aleatëve tanë arabë dhe Izraelit dhe pikëpamjet e tyre për pasoja shkatërruese të kësaj marrëveshjeje. Është marrëveshje e keqe. Jam shumë i kënaqur që francezët e kundërshtuan”, tha John McCain.

Një rund i ri i bisedimeve ndërmjet fuqive botërore dhe Iranit, lidhur me programin e kontestuar atomik të këtij vendi, mbahet javën e ardhshme.

Gjashtë fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, po bëjnë presion që Irani ta ndalë programin e vet atomik në këmbim për zbutje të kufizuar të disa sanksioneve ndërkombëtare.

Njëherësh, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) thotë se Irani nuk i ka zgjeruar kapacitetet e veta atomike, në tre muajt e fundit.

Në raportin e publikuar më 14 nëntor, ANEB tha se vetëm një numër i vogël i centrifugave shtesë për pasurimin e uraniumit janë instaluar në centralin në Natanz.

Në centralin Fordo nuk është instaluar asnjë centrifugë e re.

Raporti thotë se nuk janë instaluar “komponente kryesore” në reaktorin prodhues të plutoniumit, i cili është në ndërtim e sipër në Arak.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha se “nuk ishte i impresionuar” me raportin e ANEB-it.

Raporti tremujor ishte i pari prej se president i ri i Iranit është zgjedhur Hassan Rohani, që këtë detyrë e mori në muajin gusht.

Rohani kishte premtuar zgjidhjen e mospajtimeve lidhur me programin atomik iranian dhe zbutjen e sanksioneve.

Irani i refuzon akuzat se po e përdorë programin atomik për prodhimin sekret të bombës atomike.

Perëndimi ka dyshime se Irani synon prodhimin e armatimit atomik. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG