Ndërlidhjet

Mes prodhimeve vendore apo atyre të importuara?


Ilsutrim

Ilsutrim

Në tregun kosovar mund të gjesh lloje të ndryshme të prodhime vendore të certifikuara sipas standardeve evropiane.

Por, kur mendohet te cilësia e tyre, konsumatorët kanë një dilemë - a duhet t’u besojnë prodhimeve “Made in Kosova “ apo prodhimeve të importuara nga jashtë.

Në anketën e zhvilluar me qytetarë se çfarë prodhime konsumojnë ata në tryezat e tyre, shumë prej tyre thonë se prodhimet vendore janë ato që kanë përparësi.

Por, ka edhe të tillë që prodhimet e importuara mendojnë se e kanë cilësinë më të mirë, andaj edhe i blejnë ato.

Ismajl Gashi, 55-vjeçar, ekonomist me profesion, thotë se gjithherë përdor prodhimet vendore:

“Prodhimeve vendore iu japim përparësi sa mundemi. Në vend që të blej qumësht ‘Alpsko’ e blej ‘Vita’, sepse mendoj se janë mjaft kualitative. Duke i përfshirë edhe prodhimet bujqësore, mendoj që më mirë t’i marr prej një fshatari që i ka prodhuar, e nuk i ka hedhur shumë pesticide, se t’i marr prodhimet e importuara që vijnë të ngrira”.

Abdyl Imeri, qytetar rreth të gjashtëdhjetave, mendon se edhe pse disa prodhime vendore nuk e kanë cilësinë më të mirë, prapë përparësi në tryezën e tij kanë prodhimet vendore.

“Mendoj se më mirë është të konsumohen prodhimet vendore, edhe pse ka produkte që nuk janë më kualitative se të importuarat, por mendoj se nevojitet pak patriotizëm ekonomik dhe të bëhet si praktikë t’i blejmë gjërat tona. Sa i përket cilësisë, ka ndonjëherë ndonjë artikull me cilësi jo të mirë, por mendoj se duhet prapë t’i blejmë vendoret”, thotë Abdyli.

Edhe Nasip Jemini, qytetar, thotë se konsumon prodhime vendore dhe mendon se cilësia e tyre është e njëjtë me atë të vendeve të rajonit:

“Të gjitha prodhimet vendore i konsumoj dhe jam idhtar i asaj që të konsumohen prodhime vendore. Sa i përket cilësisë mendoj se jemi të ngjashëm në nivel me rajonin dhe mendoj se të gjithë duhet t’i konsumojnë”.

Edhe Sofie Morina, mësimdhënëse, 45-vjeçare, thotë se ajo dhe e gjithë familja e saj konsumojnë vetëm prodhime vendore:

“Mjaft shumë, ne në përgjithësi, familja jonë, i konsumojmë prodhimet vendore. Edhe mendoj se nuk po iu del afati, pasi që janë vendore. Çmimet nuk janë të arsyeshme, janë të shtrenjta, por janë shumë kualitative”.

Ndryshe, për produktet e importuara brenda këtij viti janë identifikuar mbi pesë produkte, të cilat kishin hyrë në tregun e Kosovës, e që më pas ishin cilësuar si të dyshimta dhe ishin ndalur nga autoritetet kompetente.

Analizat laboratorike të këtyre produkteve, çdo herë ishte dashur të bëhet në ndonjë nga shtetet e rajonit apo më gjerë, pasi që Kosova nuk ka një të tillë. Më shumë se dy javë thuhet të jetë afati i marrjes së rezultateve të analizave të produkteve që nga momenti i dorëzimit të tyre.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit thonë se në mungesë të këtij laboratori, shumë herë brenda këtij viti ishte rrezikuar shëndeti i qytetarit të Kosovës.

Por, edhe përkundër kësaj, ka qytetarë që mendojnë se prodhimet e importuara janë më kualitative.

Njëra nga to është Mimoza Ymeri, studente:

“Personalisht nuk konsumoj prodhime vendore, arsyeja është se nuk më duken kualitative aq shumë, edhe nuk ka prodhime shumë. Duke pasur parasysh faktin që te ne nuk prodhohet lënda e parë, për shembull çokollatat i blej të huaja, sepse kakao nuk prodhohet te ne dhe një çokollatë vendore nuk mund të jetë e mirë, sepse i shtojnë konservues ushqimit e nuk më pëlqen shija dhe mendoj se të bën keq në organizëm”.

Sidoqoftë, numri i ankesave të qytetarëve për produkte me afat të skaduar, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë gjatë këtij viti ka shënuar ngritje. Nga janari i këtij viti deri në shtator janë 187 ankesa të qytetarëve.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG