Ndërlidhjet

Korrupsioni pengon zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme


Ilustrim

Ilustrim

Shtetet, të cilat sektorin ekonomik e kanë mbështetur në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kanë pasur rritje ekonomike shumë të lartë dhe njihen si vende mjaft të zhvilluara, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Por, sipas tyre, në Kosovë autoritetet kompetente nuk kanë krijuar një ambient të favorshëm për zhvillimin e veprimtarisë së këtyre ndërmarrjeve.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Ymer Havolli, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë faktorë kyç për zhvillimin ekonomik, por, për të arritur këtë, siç thekson Havolli, duhet të krijohet një rrethinë ligjore e funksionimit të tyre.

“Të flasësh për rrethinën ligjore te ne, në Kosovë, është një rrethinë më problematike, e cila po pengon në masë të mjaftueshme zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve, si dhe po e pengon fluksin e investime të jashtme të futjes në Kosovë. Pse? Për shkak të paraqitjes së korrupsionit në masë të madhe, për shkak të mosfunksionimit të ligjit, i cili i mbron investimet e huaja, jo nga konkurrenca, por i mbron nga format korruptive dhe format tjera”, vlerëson Havolli.

Bizneset në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që t’i subvencionojnë në mënyra të ndryshme prodhuesit vendorë, pasi që sipas tyre, me rritjen e shitjes së prodhimeve vendore, përpos që përfiton biznesi, përfiton konsumatori me prodhime më cilësore dhe njëkohësisht përfiton shteti nga mbledhja e tatimeve dhe punësimi.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë prioritet zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ai thotë se kanë krijuar mekanizma për të përmirësuar gjendjen e ndërmarrjeve që të jenë konkurruese edhe në tregjet ndërkombëtare.

Lluka bën të ditur se në këtë muaj fillon skema për këshillime dhe trajnime që do t’iu jepet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ai tregon se sipas nevojave të ndërmarrjeve, do të ndihmohen në krijimin e një biznesi apo këshille që shpenzimet do t’i financojnë deri në 50 për qind.

Një ndër problemet më të mëdha të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është qasja në financa dhe si rezultat, jemi në fondin e krijimit garantues që iu mundëson ndërmarrjeve të vogla të marrin kredi në bankat komerciale. Fondi garantues do të mbështetet dhe do të garantojë atë kredi deri në 50 për qind dhe do t’iu ndihmojë ndërmarrjeve që të kenë qasje në kredi në të gjitha bankat komerciale”, shpjegon Lluka.

Projekti tjetër që ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, tregon Lluka, është bërë me përkrahje të Bashkimit Evropian për dhënien e granteve.

“Një milion euro janë ndarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe 3 milionë euro nga Bashkimi Evropian për dhënien e granteve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për ndërmarrjet mikro, do të ndahen nga 5 deri 25 mijë euro. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga 60 deri në 200 mijë euro. Janë grante që do të targetojnë kompanitë prodhuese që kanë qëllim zgjerimin e linjës prodhuese”, bën të ditur Lluka.

Deri në fund të muajit shtator, sipas Llukës, janë të regjistruara 126 mijë 656 ndërmarrje, nga këto 99.1 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sidoqoftë, profesor i ekonomisë, Ymer Havolli, thekson se ka ligje që mbështesin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por problemi, sipas tij, është në atë se sa po zbatohen këto ligje.

Sipas tij, nëse do të zbatoheshin në praktikë ligjet që janë në fuqi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të funksiononin dhe do të kishin ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ne jemi duke kërkuar investime të jashtme direkte, por faktori kyç që po i largon këto investime, është faktori i rrethinës së paqartë apo korrupsionit dhe mosrespektimit të ligjit apo moskrijimit të një rrethine ku do të operojnë këto biznese”, thekson Havolli.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG