Ndërlidhjet

Tiranë: Jo propozimit për armët kimike


Tirana zyrtare ka refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të shkatërrojë armatimin kimik sirian në territorin shqiptar.

Vendimin e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një takim me gazetarët, duke e cilësuar si të pamundur përfshirjen e Shqipërisë në këtë proces, për shkak të reagimeve që nxiti pajtimi i tij në parim për përfshirjen e Shqipërisë.


Edi Rama
Edi Rama
“Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion!”, ka deklaruar kryeministri Rama, pas fjalimit rreth 30 minutësh.

Ai ka pranuar se operacioni do të ishte i ndjeshëm dhe i ndërlikuar, si në rrafshin civil, ashtu edhe në atë ushtarak, por ka shtuar se të gjitha çështjet e ngritura nga ambientalistët janë diskutuar në konsultimet e ngjeshura që janë zhvilluar ndërmjet palëve të përfshira.

"Pa Shtetet e Bashkuara shqiptarët nuk do të ishin sot të lirë në dy shtete", tha mes tjerash Rama, duke dënuar fuqishëm edhe atë që ai e cilësoi si "nxitje të një anti-amerikanizmi".

Jo pa ironi ndaj kundërshtarëve të tij dhe me një gjuhë të ashpër ndaj mediave që kanë trajtuar prej ditësh këtë çështje, Rama mbështeti publikisht të rinjtë që nëpër rrjete sociale kanë vendosur të protestojnë kundër sjelljes së armëve kimike.

Para ndërtesës së kryeministrisë në Tiranë ishin mbledhur mijëra qytetarë, në pritje të vendimit zyrtar.

Përgjigja erdhi në një periudhë protestash në Tiranë dhe qytete të tjera në Shqipëri, ku grupe të rinjsh kundërshtojnë shkatërrimin e arsenalit sirian në Shqipëri.

Procesi i shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri shihej si një vlerë e shtuar për Qeverinë e Tiranës, politikisht - sepse Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE, dhe financiarisht - pasi ky projekt shoqërohet me një faturë të mirë financiare, të paktën sipas vlerësimeve të njohësve të kësaj fushe.

Menjëherë pas deklarimit të kryeministrit Edi Rama, lidhur me armët kimike, ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

“Ne e respektojmë vendimin e kryeministrit Rama. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Qeverinë e Shqipërisë që i dha konsideratë serioze për të mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për të eliminuar materialet kimike luftarake të Sirisë në një mënyrë të sigurt. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët, si dhe ONAK dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e këtyre armëve”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ambasada e SHBA-së deklaron se do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë shqiptare dhe popullin e Shqipërisë, duke shtuar se: “Punojmë për të ndërtuar një shoqëri më demokratike”.
XS
SM
MD
LG