Ndërlidhjet

“Absurditeti” në emërimin e bordeve


Ilustrim

Ilustrim

Ndër vendet e preferuara për punësim, vazhdojnë të mbesin bordet e ndërmarrjeve publike. Në çdo konkurs, numri i aplikuesve është shumë i madh.

Por, pavarësisht kualifikimit apo kritereve të kërkuara në konkurs, punësohet ai që preferohet nga ekzekutivi, apo kryetarët e komunave, varësisht se në cilin rajon gjendet ndërmarrja, thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike, ka dëmtuar rëndë veprimtarinë e tyre.

Avni Zogiani, nga Organizata Joqeveritare, “Çohu” për Radion Evropa e Lirë, thotë se është bërë e zakonshme që bordet e ndërmarrjeve publike të udhëhiqen nga kandidatët e partive politike ose njerëz që mbrojnë interesat e një partie të caktuar.

“Bordet Publike kryesisht kanë qenë njerëz që kanë përfaqësuar direkt politikën. Në shumicën e rasteve, ose janë nga listat e partive politike që kanë qenë një moment kandidat për Kuvend dhe nuk kanë fituar dhe janë shpërblyer për devotshmërinë e tyre ndaj partisë, me poste në borde publike”.

“Ose kanë qenë njerëz, të cilët duke qenë në sektorë tjerë, që jo domosdoshmërisht kanë qenë të lidhur me partinë, i kanë shërbyer partisë në një mënyrë apo mënyrë tjetër”, thotë Zogiani.

Edhe Naim Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se në këtë çështje nuk merret për bazë kriteri profesional. Joprofesionalizimi i anëtarëve të bordit, ka ndikuar që kompani të ndryshme publike, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal nuk kanë performuar në masën e duhur.

“Fatkeqësisht, interesat e partive të ndryshme politike në Kuvendin e Kosovës dhe preferencat e tyre partiake kanë ndikuar që në shumë raste, njerëz jo profesionistë të emërohen nëpër borde të institucioneve publike dhe ato kanë ndikuar në performimin joadekuat të ndërmarrjeve të caktuara publike, ose të rregullatorëve të ndryshëm të tregut”, shprehet Gashi.

Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, Bordi i drejtorëve të një ndërmarrjeje përbëhet nga pesë ose shtatë drejtorë, ku një nga ta duhet të jetë nga komuniteti jo shumicë. Të gjithë drejtorët, përveç njërit, do të zgjidhen nga Qeveria dhe secili drejtor i zgjedhur në këtë mënyrë, shërben me mandat prej tre vjetësh.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Por, Avni Zogani vlerëson në se në zgjedhjen e anëtarëve të bordeve nuk respektohet ligji dhe as nuk merret për bazë konkursi dhe merita.

Në këtë proces, siç thotë ai, vazhdimisht ndodhin absurditete, pasi pothuajse asnjëherë në borde nuk emërohen persona të kualifikuar për pozitën e kërkuar.

“Nuk është marrë për bazë konkursi. Anëtarët e bordit, nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë histori në fushën, për të cilën janë emëruar për ta udhëhequr. Në vazhdimësi kemi pasur absurditete, siç janë historianët kanë qenë në bordin e KEK-ut, ose të tilla gjëra një kimist në bordin tjetër. Do të thotë, kanë qenë njerëz nuk kanë plotësuar asnjë kriter dhe janë emëruar aty vetëm se kanë përfaqësuar partitë politike”, thekson Zogiani.

Ndryshe, ditë më parë përfaqësues të disa organizatave joqeveritare, kanë kërkuar plotësim-ndryshimin e ligjit, ndërsa disa të tjerë kanë kërkuar mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit aktual për ndërmarrjet publike.

Bordet e ndërmarrjeve publike, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, funksionojnë me të zgjedhurit e vitit 2008, kurse performanca e tyre në të shumtën e rasteve nuk kanë qenë pozitive.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG