Ndërlidhjet

Eksportet e pakta të Kosovës


Produkte vendore
Produkte vendore
Importet në Kosovë vazhdojnë të dominojnë krahas eksporteve. Ndonëse të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave tregojnë se është shënuar një deficit më i ulët tregtar në muajin shtator, Kosova mbetet në pozitë mjaft të pafavorshme tregtare.

Eksportet gjatë muajit shtator mbulojnë importet me vetëm 11.8 për qind. Në përgjithësi, nga eksportet u realizuan 23.1 milionë euro, derisa nga importi 195 milionë euro.

Me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendjeje, përfaqësues të bizneseve kërkojnë nga autoritetet kompetente që të ndërmarrin masa për ndryshimin e politikave fiskale.

Kryetari Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se viti 2013 mund të konsiderohet të ketë qenë një vit mjaft i pafavorshëm për prodhuesit.

Gjendja e kompanive prodhuesve në vend, sipas Shahinit, nuk është e kënaqshme dhe kjo si pasojë e politikave fiskale jo stimuluese për prodhuesit.

“Infrastruktura dhe politikat tjera ekonomike që janë të lidhura në mënyrë direkte dhe indirekte, e bëjnë biznesin dhe prodhuesin kosovar të pafuqishëm kundrejt konkurrencës së ashpër që vjen nga vendet e tjera të ndryshme. Por, njëkohësisht, edhe biznesin vendor e bëjnë të pafuqishëm kur këtyre iu mungojnë subvencionet dhe mbështetjet e tjera që bizneset e shteteve tjera i kanë çdo herë”, thotë Shahini.
Shahini inkurajon institucionet vendimmarrëse që t’i kushtojnë më tepër rëndësi prodhimit vendor dhe të krijojnë kushte më të favorshme.

Gjatë vitit 2013, Ministria e Financave ka ndërmarrë disa reforma fiskale, të cilat pritet të zbatohen në vitin 2014. Por, zbatimin e këtyre reformave po e pengon mosmiratimi i Ligjit për Lirime Doganore.

Me miratimin e këtij ligji, pritet të lirohet një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para dhe makinerisë nga taksa doganore prej 10 për qind.

Lista e lirimeve doganore të propozuara, kryesisht ka të bëjë me produkte që përdoren si lëndë e parë në prodhim në industritë përpunuese, si ajo ushqimore, e letrës, tekstilit, metaleve, plastikës, drurit, detergjenteve, teknologjisë informative, ndërtimtari dhe industri tjera përpunuese, produkte këto që nuk prodhohen në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë paraqesin sektorët kryesor ekonomikë të zhvilluar në vend.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se janë duke pritur hyrjen në fuqi të Ligjit për lirime doganore, i cili ka mbetur në proceduara administrative dhe që, siç shprehet Rukiqi, ky ligj mund të inkorporojë kërkesat e bizneseve.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
Kjo është një pjesë, me të cilën mund të trajtohen sektorë për sektorë, ka edhe një pjesë që lidhet me investime të drejtpërdrejta të jashtme dhe të brendshme dhe të cilat kanë të bëjnë me stimulimet fiskale, të cilat i kanë trajtuar edhe vendet e rajonit dhe për numër të ri të të punësuarve, ato do të jenë prioritet në aspektin e politikave të gjithëmbarshëm dhe jo të bazuar vetëm në sektorë”, shprehet Rukiqi.

Ai tregon se janë në proces të vazhdueshëm të komunikimit me shoqatat dhe duke e trajtuar aspektin e marrëveshjes së lirë me Turqinë, ku do të ketë lehtësi doganore në disa produkte.

“Mbi këtë bazë ne jemi duke shikuar mundësit që ku janë ato pjesë tjera ku mund të kontribuohet. Jemi në një proces të intensifikimit të asaj që vjen si sektor i rëndësishëm siç është sektori i pijeve edhe prodhimtarisë së ujit, pijet qofshin ato alkoolike dhe jo alkoolike. Të sillen disa modalitete që të rritet ky sektor”, shpjegon Rukiqi.

Ndryshe, gjatë muajit të shtator të këtij viti është aprovuar Udhëzimi Administrativ për implementimin e taksës së sheshtë për prodhuesit bujqësorë. Përmes këtij udhëzimi, prodhuesve bujqësorë u mundësohet kreditimi i vlerës së TVSH-së në nivel prej 16 për qind.

Ndërkohë, nga 1 janari 2014 pritet të bëhet edhe rritja e akcizës në duhan nga 30 euro në 32 euro për njësi, pas rritjes që hyri në fuqi nga 1 tetori 2013, ku u rrit akciza në duhan nga 27euro në 30 euro për njësi.
XS
SM
MD
LG