Ndërlidhjet

logo-print

Miratohet plani për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë

  • RFE /RL

Siri....

Siri....

Mbikëqyrësi global i armëve kimike ka miratuar një plan formal për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, pavarësisht se Shqipëria ka refuzuar demolimin e tyre në territorin e saj.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, megjithatë, nuk ka dhënë detaje se ku do të shkojë arsenali vdekjeprurës.

Siria, e cila është në mesin e një lufte civile, do që shkatërrimi të bëhet jashtë vendit.

Përmes një deklarate për media, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka thënë se “kemikatet” më kritike do të hiqen deri më 31 dhjetor, ndërsa të gjitha substancat e tjera kimike, të deklaruara nga autoritetet siriane, deri më 5 shkurt, përveç isopropanolit – njërit nga dy përbërësit kryesorë të agjentit nervor sarin.

Të premten, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se “është e pamundur për Shqipërinë” të marrë pjesë në operacionin e shkatërrimit. Shtetit shqiptar kërkesa i ishte bërë nga Shtetet e Bashkuara.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aleate e patundur e SHBA-së, por vendi është përballur me kundërshtime të forta brenda, ndaj operacionit të propozuar.

Njoftimi i Ramës për të mos pranuar shkatërrimin e arsenalit kimik sirian është transmetuar në ekrane gjigante në sheshin kryesor të Tiranës dhe është pritur me gëzim nga turmat e njerëzve.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jan Psaki, ka thënë se vendimi i Shqipërisë nuk do të dëmtojë marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

“Ne e vlerësojmë angazhimin e Shqipërisë për të konsideruar seriozisht shkatërrimin e armëve kimike”, ka thënë Psaki.

Ajo po ashtu ka shprehur bindjen se shkatërrimi i këtij arsenali do të bëhet brenda afatit të rënë dakord.

Siria vlerësohet të ketë rreth 1,000 tonelata arsenal kimik.

Në muajin shtator, ajo është pajtuar të shkatërrojë të gjitha stoqet e armëve kimike, në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka pranuar këtë marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me sulme ushtarake Sirinë, si ndëshkim për një sulm me gaz sarin, i cili ka vrarë qindra njerëz në muajin gusht, në periferi të Damaskut.

Sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, armët kimike të Sirisë duhet të shkatërrohen deri më 30 qershor të vitit 2014.

Shqipëria ka eliminuar arsenalin e vet kimik, të epokës komuniste, në vitin 2007, me ndihmën teknike dhe financiare të Shteteve të Bashkuara.(v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG